Dialogu Global i Berlinit, Balluku: Investitorët gjermanë, interes për Shqipërinë
Në Berlin, u zhvillua Dialogu Global i Berlinit. Zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku, së bashku me Ministrin e Financave dhe Ministren e Turizmit e Mjedisit ishte e pranishme për të diskutuar me të gjithë partnerët e tjerë përsa i përket sfidave të mëdha që ka tashmë Europa, por sigurisht edhe vendet e vogla, ashtu siç klasifikohet Shqipëria, Luksemburgu, Hungaria dhe vende të tjera.
“Mora pjesë në disa nga këto panele për të diskutuar dhe për të dhënë eksperienca më të mira që Shqipëria tashmë po aplikon, si për industrinë turizmit ashtu dhe për t’u bërë sa më tërheqëse për investitorët e huaj.
Gjatë ditës së sotme patëm mundësi që të uleshim dhe me një pjesë të investitorëve gjermanë të cilët janë të interesuar për të investuar në vendin tonë dhe për t’i informuar ata për të gjithë skemat e taksimit apo dhe të gjithë incentivat që po aplikohen në vendin tonë.
Dialogu Global i Berlinit mbetet një nga Forumet më të rëndësishme dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë rast për të promovuar veten e saj në të gjitha këto Forume ndërkombëtare dhe për të bërë të ditur për të gjithë investitorët e huaj se tashmë vendi plotëson çdo kusht për t’u konsideruar si një vend i Bashkimit Europian, duke pasur parasysh hapjen e negociatave që ne presim në ditët në vijim” deklaroi Balluku.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.