Dollari, fitime për të tretën javë me radhë – Shtohen mundësitë që FED të rrisë normat e interesit në qershor

Dollari po qëndron pranë nivelit më të lartë në dy muaj, kundrejt monedhave kryesore ndërkombëtare dhe pritet të publikojë fitime për të tretën javë me radhë, për shkak të pritshmërive se normat e interesit në SHBA mund të mbeten më të larta për një kohë më gjatë se sa pritej fillimisht.
Gjithashtu, edhe ngërçi në bisedimet për të arritur një marrëveshje mbi tavanin e borxhit në SHBA po bën që investitorët të preferojnë asetet e sigurta, ku bën pjesë edhe dollari amerikan. Presidenti amerikan, Joe Biden dhe përfaqësuesi i republikanëve, Kevin McCarthy, vazhduan negociatat, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje. Afati i fundit është data 1 qershor, në të kundërt ekonomia më e madhe në botë do të përballet me një falimentim të paprecedentë.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 104.1, niveli më i lartë në 2 muajt e fundit. Gjatë kësaj jave, ky indeks është rritur me rreth 1%. Investitorët po vlerësojnë 52% mundësi, që Rezerva Federale të rrisë sërish normën bazë të interesit në takimin e muajit të ardhshëm. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 26,500 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1810 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.