Dollari forcon pozitën në rritje – Mbështetet nga sektori i manifakturës dhe nga punësimi në SHBA
Dollari amerikan ka zgjeruar fitimet edhe në sesionin e sotëm, duke prekur nivelin më të lartë në 3 javët e fundit, sidomos përballë jenit japonez. Dollari u ngjit sërish mbi nivelin e 130 jen, niveli më i lartë që nga 11 maji, ndërsa vetëm në sesionin e së mërkurës u rrit me 1.1%. Në këtë mënyrë, monedha amerikane është ngjitur shumë pranë nivelit më të lartë në 20 vite, prej 131.3 jen. Edhe euro po qëndron në rënie, ndërsa në sesionin e kaluar humbi 0.8% të vlerës, në 1.0654 dollarë.
Yieldi i obligacioneve 10-vjeçare amerikane preku nivelin më të lartë në 2 javët e fundit, prej 2.95%, pasi të dhënat në SHBA treguan se aktiviteti i manifakturës u rrit ndjeshëm gjatë majit, ndërsa kërkesa për mallra qëndron e fortë. Edhe hapja e vendeve të reja të punës në Shtetet e Bashkuara po qëndron në nivele të larta.
Të gjitha këto zhvillime kanë ofruar një mbështetje për monedhën amerikane. Gjithashtu, edhe pritshmëritë për politikat monetare të Rezervës Federale kanë ndryshuar sërish.
Banka qëndrore më e madhe në botë pritet të rrisë me shpejtësi normat e interesit, në përpjekje për të “ftohur” inflacionin, me shpresën se do të shmangë edhe një recesion të ekonomisë. Gjithashtu, në fokus të tregjeve është edhe takimi i Bankës Qendrore Europiane, që zhvillohet javën e ardhshme.
Në tregun e kriptovalutave, bitcoin ka rënë ndjeshëm në sesionin e kaluar, ndërsa sot po qëndron në rritje të lehtë pranë 30 mijë dollarëve. Ethereum po tregtohet në rreth 1,800 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.