Dollari publikon humbje javore prej rreth 1% – Politikëbërësit e FED, pro ngadalësimit të politikave monetare
Tregu i monedhave po shfaqet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm, por dollari amerikan pritet të publikojë humbje javore dhe po qëndron në nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit. Monedha amerikane u dobësua ndjeshëm të mërkurën dhe të enjten për shkak se politikëbërësit e Rezervës Federale në SHBA kanë mbështetur idenë e ngadalësimit të hapit të rritjes së interesave. Edhe volumi i tregtisë parashikohet të jetë i ulët në sesionin e sotëm për se Wall Street do të qëndrojë pushim, me rastin e Ditës së Falenderimeve.
Paundi britanik vijoi tendencën në rritje edhe në sesionin e sotëm dhe po tregtohet në mbi 1.21 dollarë, ndërsa gjatë kësaj jave u rrit me rreth 2%. Edhe euro, qëndrueshëm po tregtohet në mbi 1.04 dollarë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë gjastë monedhave kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 105.8, niveli më i ulët në 3 muajt e fundit, ndërsa gjatë kësaj jave ka rënë me rreth 1%.
Përsa i përket Bankës Qendrore Europiane, investitorët parashikojnë se në takimin e dhjetorit norma bazë e interesit do të rritet me 50 pikë bazë. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet pranë nivelit më të ulët në 2 vitet e fundit, prej 16,400 dollarë. Ethereum po tregtohet në rreth 1180 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.