“Drama” përgjatë 2022, para festave euro nën 114 lekë – Monedha e përbashkët merr veten në BE por në Shqipëri nënçmim në vlera rekord
Megjithë një përmirësim të lehtë dy ditët e fundit, monedha e përbashkët evropiane mbetet në nivelet më të ulëta historike në raport me lekun. Ajo ra për herë të parë në datë 20 nën kuotën mesatare te këmbimit prej 114 lekësh, ku vijoi të mbetet edhe për tre ditët në vijim, megjithë një ngritje të lehtë në datat 22 dhe 23. Në këtë mënyrë euro në Shqipëri nuk po reagon si në tregjet evropiane, ku tashmë ajo po rritet me ritme të qëndrueshme. Javët e fundit monedha e përbashkët ka shënuar rritje më raport me dollarin pas ndërhyrjes së Bankës Qendrore Evropiane, e cila më në fund vendosi të ndërhyjë me rritjen e normës bazë të interesit si masë për ndalimin e inflacionit në Eurozonë. Dhe ishin pikërisht këto dy faktorë që shkaktuan dramën e monedhës së përbashkët evropiane përgjatë vitit, inflacioni dhe veprimet e rezervës Federale amerikane. Ndërkaq, Indeksi i Blerjes së Menaxherëve për dhjetorin tregon frenim të rënies së aktivitetit ekonomik në eurozonë, duke sugjeruar se inflacioni në BE mund të jetë më pak i ashpër nga ç’pritej.
Ajo që mbetet për t’u parë është nëse do të vijojë mbiçmimi i lekut ndaj Euros, në një kohë që ajo po rimerr veten në raport me valutat e tjetra, e në mënyrë të veçantë me dollarin.
Agjentët e këmbimit valutor të pyetur nga Scan Televizion e lidhin këtë mbiçmim më së shumti me faktorë të brendshëm sesa të jashtëm, ku dominues është ai sezonal. Sipas tyre, për një seri faktorësh, në treg ka sasi të konsiderueshme valutash, veçanërisht të monedhës së përbashkët europiane. Ndërkohë që ndikim të dorës së parë në këtë mbiçmim të lekut ka pasur situata e reshjeve. Për shkak të rritjes së prodhimit vendas, KESH nuk ka pasur nevojë të sigurojë sasi të konsiderueshme eurosh në tregun e brendshëm.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.