Dritëhijet e Sunak, kryeministrit më të pasur të Britanisë
Gjatë fushatës së fundit të zgjedhjeve në Partinë Konservatore, kur u mund nga Liz Truss, Rishi Sunak kishte parashikuar gjithçka, në çdo detaj: “Ulja e taksave tani është një lojë serioze: interesat e borxhit do të rriten më tej dhe familjet do të paguajnë pasojat bashkë me një inflacion tashmë të lartë”, kishte paralajmëruar disa herë gjatë fushatës elektorale vetëm pak javë më parë. Dhe gjithshka doli e vërtetë.
Atëherë si mund të fajësohet ai? E pamundur. Kryeministri i ri britanik 42-vjeçar, ish-ministri i Financave dhe gjithashtu ish-punonjës në Goldman Sachs, më i pasuri në historinë e Doëning Street me 900 milionë paund asete, sigurisht e kupton ekonominë. Për këtë arsye grupi parlamentar i konservatorëve e votoi me një shumicë të madhe pas rënies së turpshme të Liz Truss, ndryshe nga rivali Boris Johnson që u tërhoq nga gara, i ndjekur nga kandidatja e tretë, Penny Mordaunt.
Për këtë arsye, Rishi Sunak, me origjinë indiane, u zgjodh si kryeministri i tretë britanik në vetëm tre muaj dhe i pari me ngjyrë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. Objektivi I vështirë I tij është të përpiqet ta nxjerrë vendin nga kjo situatë dhe të rikthejë ekonominë në stabilitet pas katastrofës në tregje të shkaktuar nga Liz Truss
Sunak, i cili gjatë pandemisë Covid-19 adoptoi në mënyrë eksplicite moton e Mario Draghit “çfarëdo që të duhet” për të shpëtuar ekonominë britanike me ndihma 400 miliardë paund, fitoi këtë garë të shpejtë në parti për t’u bërë kryeministër duke mos përmendur as gurët e themelit të politikave të Truss. Por tani ato janë të qarta për dikë që është ende një “brexiter” i orës së parë: qetësoni tregjet dhe rivendosni besueshmërinë financiare në Mbretërinë e Bashkuar; përpiquni të kapërceni këtë dimër të vështirë; ulni taksat vetëm kur situata financiare ndërkombëtare do ta lejojë atë; kufizoni imigracionin e parregullt. Ndonëse prindërit e tij nuk kanë lindur në Angli, Rishi përpiqet të çlirojë potencialin e “Britanisë Globale” pas Brexit-it, të cilën ai e ka mbështetur gjithmonë edhe nëse deri më tani është arritur shumë pak. Synimi I tij final është fitorja e zgjedhjeve të vitit 2024. Diçka jo e lehtë, jo vetëm sepse laburistët dhe lideri i tyre Sir Keir Starmer janë mbi 30 pikë përpara në sondazhe, por edhe sepse besnikët e Boris Johnson ende ëndërrojnë kthimin e tij në Doëning Street.
Por, kush është ky i ri 42-vjeçar me origjinë indiane, i cilësuar nga kundërshtarët e tij si “njeriu i Davosit”, i “kurorëzuar” kryeministër britanik nga konservatorët? Prindërit janë emigrantë indianë nga Punjab (Panxhab), familja është pjesë e diasporës në Afrikën Juglindore të shekullit të 19-të. Rishi Sunak lindi në Southampton, nga babai Yashvir, një mjek dhe nëna Usha, pronare e një farmacie në të njëjtin qytet bregdetar anglez. Me pak fjalë, një familje e pasur, ose më shumë se e pasur, siç tha ai vetë, kur ishte fëmijë, në një dokumentar të BBC-së që u shfaq pak javë më parë në internet: “Kam miq aristokratë, të tjerë nga shtresat e larta dhe gjithashtu nga familje të klasës punëtore. .. në të vërtetë, jo, ata jo”!
Pra, një bazë e shkëlqyer për karrierën e Rishi Sunak, një djalë që ka qenë gjithmonë shumë studjues dhe që falë sakrificave të prindërve, u regjistrua në shkolla të nivelit të lartë si Kolegji Ëinchester, më pas u diplomua në Filozofi, Politikë dhe Ekonomi në Oksford, përpara një Master në Administrim Biznesi nga Stanford, Shtetet e Bashkuara, falë një Burse Fulbright.
Pikërisht në Stanford hapet një tjetër kapitull themelor në historinë e Rishi. Sepse në universitetin e famshëm amerikan, Sunak takon bashkëshorten e tij të ardhshme Akshata Murty, vajzën e miliarderit indian Narayana Murthy, themeluese e gjigantit kompjuterik Infosys. Sot, çifti, i martuar në gusht 2009 dhe me dy fëmijë, kanë një pasuri prej rreth 900 milionë paund. Sigurisht, Sunak e njeh si pak të tjerë galaktikën financiare të kryeqytetit britanik. Përpara se të futej në politikë dhe të bëhej Ministër i Financave në qeverinë Johnson, ai punoi për gati katër vjet në Goldman Sachs dhe më pas për fondet mbrojtëse “The Children’s Investment Fund Management” dhe “Theleme Partners”, si dhe drejtor i kompanisë së investimeve “Catamaran Ventures”, në pronësi të vjehrrit të tij Murthy.
Martesa me Akshata ndryshoi jetën dhe perspektivat e Rishit. Një bashkim i lumtur dhe i vlefshëm, deri në prillin e kaluar kur u zbulua se Akshata shumë e pasur nuk ka paguar taksa për vite në Mbretërinë e Bashkuar duke shfrytëzuar vetë-përkufizimin e diskutueshëm dhe ultra-fleksibël në ligj të “non-dom” ose “me vendbanim jo në Britani”. Por, tashmë Akshata ka premtuar se do të paguajë taksat, pasi ka jetuar gjithmonë në Londër.
Por gjëja më e rëndë është se, ndërsa partnerja e tij shumë e pasur po i shmangej taksave, edhe pse legalisht, dhe Sunakët po ndërtonin një pishinë të re në pronat e tyre, ministri u rriti taksat qytetarëve britanikë për herë të parë në shumë vite, pasi ndihma shtetërore gjatë pandemisë arriti në 400 miliardë paund dhe borxhi public u rrit me 10 pikë. Gjatë të njëjtit skandal u zbulua se si Sunak kishte aplikuar për një “Green Card” në Shtetet e Bashkuara, ndoshta për t’u transferuar në Amerikë. Diçka që zonat më tradicionale angleze nuk do ta pëlqejnë.
Por Rishi, gjithashtu një Thatcherian i hekurt dhe i njollosur për Partigate që çoi në dorëheqjen e Boris Johnson, ka rifituar së fundmi shumë besim te Konservatorët për paralajmërimet e tij kundër “Trussnomics” përpara fundosjes së paraardhëses së tij. Gjithsesi, Sunak konsiderohet i zgjuar, i besueshëm dhe me një përvojë të madhe si drejtues i Thesarit.
Për më tepër, Rishi është një eksponent i minoriteteve dhe kjo mund të jetë një plus sidomos në dy vjet kur do të ketë zgjedhje të përgjithshme kundër laburistëve, të cilët përgjithësisht marrin shumë vota nga emigrantët dhe popullsinë me ngjyrë. Por ka ende skepticizëm për Rishin. Pasuria e tij e madhe dhe origjina multikulturore mund ta kufizojnë atë pikërisht në ato zona ku Boris Johnson ndërtoi suksesin e tij në zgjedhjet e 2019-ës: përkatësisht Në Anglinë Qendrore dhe Veriore, mes zgjedhësve me shumicë dërrmuese të bardhë që ish-kryeministri Johnson I kishte fituar tre vjet më parë. Një realitet shumë i ndryshëm nga Londra multikulturore dhe ku Sunak nuk duket të jetë një “njeri i popullit”.
E jo çuditërisht, në të gjitha sondazhet Johnson duket se ka një mundësi shumë më të mirë se Sunak për të fituar zgjedhjet e vitit 2024, ose të paktën për të kufizuar dëmin përballë një Laburisti shumë të fortë. Ky do të jetë një problem i madh për kryeministrin e ri, veçanërisht në periudhën afatmesme. Por, të paktën, konservatorët mund të krenohen se I kanë dhënë vendit tre kryeministret e para femra dhe të parin me ngjyrë, ndryshe nga laburistët që kurrë nuk kanë arritur të bëjnë diçka të tillë pavarësisht se janë deklaruar si mbrojtës të pakicave.
Ndërkohë, dera e Downing Street numër 10 është hapur për Rishi Sunak. Pjesa tjetër do të shihet.
Dorian Koca/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.