Dy peticione për eficiencën e energjisë – Financim 50% të termoizolimit, banorët e Korçës e Pogradecit: Ul konsumin e druve dhe ndotjen e ajrit
Qytetarët e Korçës dhe Pogradecit kërkojnë bashkëfinancimin e termoizolimit të banesave nga ana e bashkive, përmes caktimit të “Fondit të Komunitetit”, që nënkupton se 50% e investimit paguhet nga vetë banorët, ndërsa pjesa tjetër nga fondet publike të bashkisë.
Përmes 2 peticioneve të depozituar në bashkitë respektive argumentohet se shkak u bë ndotja e ajrit në stinën e dimrit, si pasojë e përdorimit të lartë të druve të zjarrit për ngrohje.
Ndërkohë që, termoizolimi, si masë e eficiencës së energjisë ndikon drejtpërdrejt në reduktimin e energjisë së përdorur, që në këtë rast janë drutë e zjarrit e rrjedhimisht edhe në uljen e emetimit të ndotësve në ajër.
Së bashku me peticionet, është depozituar edhe argmentimi i plotë, duke cituar të dhëna të dala nga 2 raporte të auditimit energjetik, të hartuar në këto 2 bashki. Sipas tyre, banesa e marrë në studim në qytetin e Korçës mund të ulë sasisë e lëndës drusore të përdorur me 67%, ndërsa në Pogradec me 80%.
“Për pasojë, edhe emetimet në atmosferë dhe nevoja për përdorimin e pyjeve për lëndë drusore pritet të ulen me të njëjtat shifra”, – thuhet ndër të tjera në dokumentet e depozituar. Paralelisht, është bërë edhe analiza financiare e 2 bashkive, duke nxjerrë në pah mundësitë për përballimin e programit nga këto njësi të qeverisjes vendore.
Peticionet u ndërmorën nga organizatat All Green Centre dhe Arti në Duart e Gruas, në kuadër të projektit “Dua ajrin tim”, që mbështetet financiarisht nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashëpunim. Ndërkohë që, shqyrtimi i tyre pritet të bëhet në mbledhjet e radhës të Këshillave Bashkiakë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.