Dyfishim i flotës së mjeteve aktive – DPSHTRR: Përmirësimin drastik i mjeteve rrugore të lëvizjes dhe të transportit!
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor publikoi sot shifra mbi flotën vendase të mjeteve rrugore përgjatë vitit 2023, ku rezultoi në rritje si numri i mjeteve aktive dhe si vlerë mesatare mjeti që hyn dhe regjistrohet.
Sipas njoftimit statistikat e vitit 2023 tregojnë për dyfishim të flotës së mjeteve aktive, ku krahasuar me vitin 2018 janë 867,765 mjete aktive, 50% më shumë.
Sipas DPSHTRR autovetura janë 314 mjete për 1000 banorë, ose 55% më shumë; 78,157 mjete të regjistruara për herë të parë, 30% më shumë; 74% më shumë mjete të gjeneratës së fundit 0-3 vite ndërsa vlera mesatare e një autoveture të regjistruar për herë të parë është 1,011,351 Lekë,
DPSHTRR bën me dije gjithashtu se shtetet e origjinës së mjeteve kryesohen nga Gjermania me 21.4% e pasuar nga: Italia me 21%, Republika e Koresë 10.8%, Zvicra 10.1%,SHBA 5.2% dhe Kina 5%.
Sipas DPSHTRR-së, janë 6,802 mjete me moshë 22-vjeçare të çregjistruara, 42% më shumë krahasuar me 2021.
“Tregues pozitiv i rritjes ekonomike dhe provë e rritjes së mirëqenies në vendin tonë. Shifrat flasin shumë qartë për përmirësimin drastik të mjeteve tona rrugore të lëvizjes dhe të transportit, si vlerë mesatare mjeti, si komoditet e siguri, si edhe më miqësore ndaj mjedisit”, u shpreh DPSHTRR në rrjetet sociale.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.