Edhe 1 ditë afat për deklarimin e të ardhurave – DIVA, detyrim për mbi 73 mijë të punësuar në vend
Mbi 73 mijë të punësuar në vend do të kenë edhe një ditë kohë për të plotësuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave. 30 prilli është afati i fundit për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2023, e cila prek çdo punonjës, rezident dhe jo rezident në Republikën e Shqipërisë, i cili përfiton të ardhura me burim brenda dhe jashtë vendit, në shumën mbi 2 milion lekë në vit apo është i dypunësuar të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit.
Edhe këtë vit, deklarimi i DIVA do të bëhet njëjtë me vitet e mëparshme. Të njëjtat kategori, të njëjtat detyrime, pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat”, efektet e të cilit për këtë deklaratë do të ndihen në vitin 2025, kur individët do të deklarojnë DIVA për vitin fiskal 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore detyrimin për të plotësuar DIVA për vitin 2023 e kanë në total 73.790 individë, nga të cilët 24.224 individë me të ardhura mbi 2 milion lekë dhe 49,566 individë të dypunësuar.
Nga ana tjetër, nuk janë deklarues të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) kategoria “i vetëpunësuar” (me të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarit) dhe i punësuar në një subjekt (person fizik apo juridik) në të cilin përfiton të ardhura nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës, pasi kategoria “i vetëpunësuar” ka detyrim vetëm pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ka të përcaktuar në listëpagesë vlerën zero në rubrikën “Paga bruto”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Deklarata DIVA 2023, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Rubrikat e sipërpërmendura, megjithëse gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato. Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit përsa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.