Egjipti blen privatisht 480 mijë ton grurë rus – Putin premton furnizim edhe për 6 vende afrikane
Egjipti bleu rreth gjysmë milioni ton grurë rus përmes kanaleve private, me çmime më të ulëta se ato të ofruara në tenderët e rregullt. Autoriteti i Përgjithshëm për Furnizimin e Mallrave bleu rreth 480 mijë ton grurë rus nga firma tregtare ‘Solaris’ me një çmim prej rreth 270 dollarë për ton, përfshirë transportin e mallrave në portin e importuesit.
Egjipti dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje sekrete për blerjen e mijëra ton drithëra nga Moska. Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës ka pasur efektin anësor të ndalimit të eksporteve të drithërave, me rrezikun për të çuar disa zona të botës, veçanërisht në Afrikë, drejt urisë. Deri një muaj më parë ishte në fuqi një marrëveshje që i lejonte Ukrainës të dërgonte anije tregtare me grurë nga portet e Detit të Zi, por Putini ka refuzuar ta zgjasë atë marrëveshje. Ndërkohë, Egjipti, importuesi kryesor i drithit në botë, ka nënshkruar një marrëveshje të madhe private për blerjen e gati gjysmë milioni ton drithë të prodhuar në Rusi.
Egjipti ka qenë shumë i varur nga gruri rus që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithëse ka përfunduar gjithashtu blerjet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Serbia dhe Rumania.
Sipas disa të dhënave, Kajro importon 12 milionë ton grurë në vit dhe është ndikuar nga rritja e çmimeve të shkaktuar nga konflikti. Në vitin 2020, 86% e importeve të grurit të Egjiptit vareshin nga Rusia dhe Ukraina. Gjithashtu për shkak të ngadalësimit të turizmit, turistët rusë dhe ukrainas nuk vijnë më, ose mbërrijnë më pak, kriza ekonomike në Egjipt është kthyer gjithashtu në krizë ushqimore dhe krizë valutore. Në fund të shkurtit, një ministër egjiptian shpjegoi se rezervat e grurit të vendit të tij ishin të mjaftueshme vetëm për katër muaj e gjysmë të tjerë. Prandaj u mor vendimi për t’iu drejtuar të gjithë prodhuesve të mundshëm, përfshirë Rusinë.
Ndërkohë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u shpreh se javët e ardhshme vendi do të dërgojë rreth 50 mijë ton grurë në gjashtë vende afrikane. Sipas tij, për këtë vit është parashikuar të prodhohet 130 milion ton grurë, nga të cilat 60 milionë do të eksportohen
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.