Ekonomia botërore do të rritet me 3.1% – Raporti i OKB, lufta në Ukrainë po “frenon” rimëkëmbjen globale!
Perspektivat për rimëkëmbjen e ekonomisë globale janë dobësuar në mënyrë domethënëse për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo e fundit ka shkaktuar rritjen e cmimit të energjisë, ushqimeve dhe shtrëngimit t ëpolitikave monetare nga bankat më të mëdha qendrore. Sipas raportit më të fundit të ekonomisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ekonomia botërore është projektuar të rritet me 3.1% në vitin 2022, duke shënuar një rënie prej 0.9% në krahasim me parashikimet e janarit të këtij vit.
Parashikimet fillestare përballen me rënie të ndjeshme si pasojë e intensifikimit të luftës në Ukrainë dhe valëve të tjera të mundshme të pandemisë. Dhe rritjet e parashikuara për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Kinën, janë rivlerësuar në rënie, me BE-në që shënon dhe rënien më të thellë. Ekonomia e Bashkimit europian – e dëmtuar më shumë nga ndërprerja e furnizimit me gaz nga Rusia- tashmë pritet të rritet me 2.7% në vitin 2022, në vend të 3.9% që parashikohej në muajin janar.
Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të rritet me 2.6%, ndërkohë që ajo e Kinës parashikohet të rritet me 4.5% në vitin 2022. Vendet në zhvillim si një grup në vete, projektohet të rriten me 4.1% në 2022-shin, në krahasim me 6.7% në vitin 2021. Ngadalësimi në bazë të gjerë i ekonomisë globale do të minojë një rimëkëmbje të plotë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse nga pandemia.
Ky ngadalësim, dhe lufta në Ukrainë – do të rrisë dhe më shumë cmimin e ushqimeve dhe fertilizuesve, duke goditur në mënyrë të vecantë vendet në zhvillim, por dhe do të shtojë pasiguritë për sa i përket rezervave ushqimore dhe përhapjes së varfërisë. Shtrëngimi monetar nga vendet e zhvilluara do të rrisë kostot e huamarrjeve, do të minojë qëndrueshmërinë e borxhit si dhe do të kufizojë dhe më shumë hapësirën fiskale për të mbështetur rimëkëmbjen e plotë të ekonomive të vendeve në zhvillim. Lufta në Ukrainë – dhe efektet e saj në çmimet e energjisë dhe të mallrave – mund të dëmtojë gjithashtu dhe veprimet kundër ndryshimeve klimatike.
Nga njëra anë, çmimet e larta të naftës dhe gazit mund të nxisin më shumë nxjerrjen e lëndëve djegëse fosile ose përdorim më të madh të qymyrit. Çmimet e larta të nikelit mund të ndikojnë negativisht në prodhimin e automjeteve elektrike, ndërkohë që rritja e çmimeve të ushqimeve mund të pengojnë prodhimin e biokarburanteve.
Nga ana tjetër, këto çmime të larta janë gjithashtu një mundësi për vendet që të zgjidhin shqetësimet e tyre për energjinë dhe sigurinë ushqimore përmes përshpejtimit në adaptimin e burimeve për energjinë e rinovueshme dhe përmirësimin e efikasitetit sistematik, në këtë mënyrë do të shënohej një përafrim me objektivat e përgjithshme të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimi i luftës kundër ndryshimeve klimatike.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.