Ekonomitë kryesore të Evropës, drejt rimëkëmbjes – Rriten të ardhurat e disponueshme për frymë
Kristi Ceta / SCAN
Të ardhurat e disponueshme të familjeve për frymë në ekonomitë kryesore të Evropës u rritën me 0,2%, duke shkuar në 3,4% në tre muajt e parë të 2024. Gjatë së njëjtës periudhë, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë pati gjithashtu rritje në shumicën e vendeve evropiane.
Pjesa më e madhe e vendeve evropiane shënuan rritje si në të ardhurat reale të familjeve për frymë, ashtu edhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) real për frymë në tremujorin e parë të 2024, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Polonia përjetoi rritjen më të madhe në të ardhurat e disponueshme për frymë, duke u rritur me 10.2% krahasuar me një rënie prej 2.7% në tremujorin e fundit të 2023. Sipas OECD, kjo rritje ishte “kryesisht e nxitur nga rritja e kompensimit të punonjësve, përfitimet sociale dhe të ardhurat nga prona”. Portugalia ishte vendi i dytë me rritjen më të madhe, me 6.7%.
Ndër ekonomitë kryesore të Evropës, Italia shënoi rritjen më të fortë me 3.4%. OECD ia atribuoi këtë rritje “një rritjeje të kompensimit të punonjësve, duke përmbysur rënien në tremujorin e mëparshëm”.
Spanja dhe Gjermania gjithashtu regjistruan rritje të ndjeshme në të ardhurat reale të familjeve për frymë. Në Spanjë, kjo u rrit me 1.5%, pas një rritjeje të konsiderueshme prej 3.7% në tremujorin e mëparshëm. Në Gjermani, ajo u rrit me 1.4%, krahasuar me vetëm 0.1% në tremujorin e mëparshëm, pjesërisht e nxitur nga një rritje në kompensimin e punonjësve.
Franca përjetoi një rritje prej 0.6% në të ardhurat reale të familjeve për frymë, e cila “u mbështet kryesisht nga një rritje e përfitimeve të pensioneve bazë për të mbajtur ritmin me inflacionin”, sipas OECD. Mbretëria e Bashkuar regjistroi një rritje më modeste prej 0.2%.
Greqia përjetoi rënien më të madhe të të ardhurave të disponueshme, me një rënie prej 1.9%, e ndjekur nga Belgjika dhe Çekia, të dyja me 1.4%, dhe Hungaria me 0.7%. Suedia dhe Danimarka gjithashtu shënuan rënie të lehta.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.