EKSKLUZIVE/ Fashat rrisin çmimin e energjisë për 48 500 familje – Zbardhen shifrat për vitin 2022, blloku mbi 800 kwh shtrenjton 22.5% e konsumit
Shtrenjtimi i energjisë për familjet që konsumojnë mbi 800 kwh do të prekë gati 48 500 familje. TV SCAN ka siguruar shifrat e përditësuara zyrtare për konsumin e abonentëve familjarë për vitin 2022, ku rezulton se plani i qeverisë për rikthimin e skemës së tarifimit me 2 blloqe, do të përkthehet në shpenzime më të larta për një numër të konsiderueshëm abonentësh.
Ndërkohë që, me ndryshimin e bllokut nga 700 këh, që ishte plani fillestar, në 800 kwh, qeveria duket se ka planifikon të “kursejë” rreth 20 000 familje të tjera, që rezultojnë brenda kësaj fashe konsumi.
Gjithsesi, në rast të miratimit të skemës nga Enti Rregulltor i Energjisë, OSHEE do të arkëtojë ndjeshëm më shumë para’, duke qenë se shtrenjtimi do të sjellë faturimin me çmime më të larta për gati 22.5% të energjisë që konsumojnë familjet shqiptare.
Paralelisht, planet e qeverisë për rikthimin e fashave për tarifimin e energjisë elektrike, nënkuptojnë se rritja e çmimit nuk do të prekë vetëm 32% të konsumit. Kjo për shkak të strukturës apo ndarjes në kategori të tij, ku për një pjesë tashmë çmimi është rritur, një pjesë janë në treg të liberalizuar, një sasi e madhe është humbje në rrjet, ndërsa për pjesën tjetër po kërkohet pikërisht rritja përmes rikthimit të fashave.
Më konkretisht, sipas të dhënave zyrtare për 6-mujorin e këtij vitit, 22.2% e konsumit total ishte humbje në rrjetin e transmetimit dhe shpërnadrjes, 11% e energjisë konsumohet nga bizneset që kanë dalë në tregun e liberalizuar e që sigurojnë përmes kontratave individuale me furnizues të tjerë energjinë e nevojshme, ndërsa për 12.4% të konsumit, ku përfshihen bizneset që furnizohen nga OSHEE, si Furnizues i Mundësisë së Fundit, çmimi tashmë është rritur me rreth 70%.
Nëse përfshijmë edhe 22.5% të konsumit të mësipërm familjar, atëhere vetëm 32% e energjisë që konsumohet nuk do të shtrenjohet. Gjithsesi, vendimi final për ndryshimin e çmimeve i takon Entit Rregullator të Energjisë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.