Eksportet kryesore të ushqimit ukrainas janë pothuajse përgjysmuar që nga fillimi luftës!
Eksportet e mallrave kryesore bujqësore ukrainase kanë rënë me pothuajse gjysmën që nga fillimi i pushtimit rus në fillim të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, treguan të hënën vonë të dhënat nga ministria e bujqësisë.
Rusia filloi sulmin e saj ndaj Ukrainës më 24 shkurt dhe si rezultat i luftimeve, portet detare ukrainase u bllokuan, duke lënë një sasi të madhe të korrash ose të pa korrur ose të shkatërruar.
Eksportet bujqësore ndërmjet 24 shkurtit dhe 15 gushtit të këtij viti ranë në 10 milionë tonë nga rreth 19.5 milionë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, treguan të dhënat e ministrisë.
Të korrat e grurit të vitit 2022 në Ukrainë parashikohet të bien në rreth 50 milionë tonë nga një rekord prej 86 milionë tonësh në vitin 2021.
Nga 24 shkurti deri më 15 gusht të këtij viti, Ukraina ka eksportuar 3.8 milion ton misër, 1.4 milion ton fara luledielli, pothuajse 1 milion ton vaj luledielli dhe rreth 640,000 ton grurë, treguan të dhënat e ministrisë.
Vendi, prodhimi ushqimor i të cilit, sipas qeverisë, është i aftë të ushqejë deri në 400 milionë njerëz, eksportonte gjithashtu elb, fasule soje dhe vaj, luledielli dhe ushqime soje.
Në fund të korrikut, tre porte ukrainase të Detit të Zi u zhbllokuan sipas një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.
Por edhe me portet e hapura, eksportet bujqësore të Ukrainës janë dukshëm më të ulëta se para konfliktit, kur Ukraina eksportonte deri në 6 milionë tonë drithë në muaj.
Javën e kaluar ministria e bujqësisë tha se eksportet e grurit të Ukrainës në sezonin 2022/23 deri më 19 gusht janë ulur 51.6% nga një vit më parë në 2.99 milionë tonë.
Eksportet e grurit për sezonin 2021/22, i cili përfundoi më 30 qershor, u rritën me 8.5% në 48.5 milionë tonë falë një vëllimi të madh dërgesash përpara se Rusia të pushtonte.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.