“Ende në “luftë” me inflacionin” – JPMorgan: Është herët për të shpallur fitoren
Jamie Dimon, shefi ekzekutiv i JPMorgan, banka më e madhe amerikane, paralajmëroi se është ende herët për të shpallur fitoren kundër inflacionit, duke shtuar se Rezerva Federale mund të rrisë normat e interesit mbi 5%.
Paralajmërimi i Dimon erdhi pasi zyrtarët e Rezervës Federale thanë se priten rritje të mëtejshme të normave të interesit në të ardhmen, megjithëse askush nuk ishte gati të sugjeronte se raporti i punës së madhe gjatë janarit, mund t’i shtynte ata përsëri në një qëndrim më agresiv të politikës monetare.
Në lidhje me inflacionin, Dimon tha se njerëzit duhet të marrin frymë thellë para se të shpallin fitoren, sepse shifra e një muaji dukej e mirë. Ai theksoi se është krejtësisht e arsyeshme që FED të shkojë deri në 5% dhe të presë pak. Por nëse inflacioni zbret në 3.5% ose 4% dhe qëndron atje, mund të duhet të shkohet më lart se 5% dhe kjo mund të ndikojë në norma të shkurtra dhe të gjata.
Nga një kulm prej gati 7% në qershor, masa e preferuar e Fed-it për inflacionin qëndroi në 5% në dhjetor – shumë mbi objektivin e saj prej 2%, por duke shkuar në rënie të qëndrueshme. Në një intervistë për Reuters, Jamie Dimon paralajmëroi se rregullimi më i rreptë i tarifave të kartave të kreditit mund t’i shtyjë huadhënësit të japin më pak kredi. Ai tha gjithashtu se kishte në plan të vizitonte Kinën, duke thënë se ishte e rëndësishme të ruheshin marrëdhëniet mes dy vendeve.
Dimon tha gjithashtu se një mospagim i borxhit të SHBA – një perspektivë me të cilën përballet vendi nëse nuk rritet tavani i borxhit të tij – do të ishte potencialisht “katastrofik” dhe do të shkaktonte dëme të përhershme në Amerikë, duke shkatërruar të ardhmen e saj.
Presidenti Joe Biden, në fjalimin e tij në një sesion të Kongresit amerikan, u kërkoi republikanëve të rrisin tavanin e borxhit prej 31.4 trilionë dollarë në muajt e ardhshëm për të shmangur një falimentim.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.