Energjia dhe pagat shtuan kostot e ndërtimit – Ndonëse më të reduktuara krahasuar me tremujorin e dytë
Armela Duka/ SCAN
Gjatë tremujorit të dytë të vitit aktual, tregu i pasurive të paluajtshme ka përjetuar një zgjerim të konsiderueshëm, duke sjellë një rritje të ndjeshme të sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit. Ky zgjerim ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e kostove të ndërtimit, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë nga sa pritej.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, indeksi i kushtimit në ndërtim gjatë kësaj periudhe arriti në 112,3 kundrejt tremujorin e katërt të vitit 2021. Në terma vjetorë, konstatohet një rritje prej 2.5%.
Analiza e “Scan Intel” nxjerr në pah se, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar në grupin “Shpenzime energjie” me 5.9%. Ky grup pasohet nga rritjet në “Shpenzime për paga” me 3.8%, “Shpenzime transporti” me 3.5%, dhe “Kosto të tjera” me 2.1%. Ndërkohë, rritjet më të vogla janë regjistruar në “Shpenzime makinerie” dhe “Shpenzime materiale”, me përkatësisht 1.6% dhe 1.1%.
Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” ka shënuar rritjen më të lartë prej 1.2%, ndërsa “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” kanë ndjekur me rritje përkatësisht prej 1.1% dhe 0.8%.
Gjithashtu, që nga tremujori i parë i vitit 2024, ky indeks përllogaritet mbi një bazë të re krahasimore, ku tremujori i parë i vitit 2021 shërben si referencë. Ky indeks është një tregues kyç për sektorin e ndërtimit, duke matur ecurinë e çmimeve të materialeve, fuqisë punëtore dhe shpenzimeve të tjera që lidhen me ndërtimin e një banese.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.