Energjia, OST kërkon rritje me 45% të tarifës së transmetimit – Aplikimi në ERE: Të shkojë 1.22 lekë/kWh. Enti Rregullator nis shqyrtimin
Ola Mitre/Scan
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar rritjen e tarifës së transmetimit së energjisë elektrike, që ndikon drejtpërdrejt te çmimi fundor që paguajnë klientët.
Referuar aplikimit të dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë, rritja e kërkuar është në masën 45%, duke shkuar në 1.22 lekë/kWh nga 0.85 lekë/kWh, që është aktualisht.
Kompononeti që ka ndikuar në paraqitjen e kërkesës për rritje të tarifës, që rrjedhimisht pasohet me të ardhura më të larta për kompaninë publike të transmetimit është blerja e energjisë.
Vendimi përfundimtar për rritjen apo jo të kësaj tarife i takon Entit Rregullator, që vendosi nisjen e e shqyrtimit të aplikimit. Në rast të miratimit, impakti i tarifave të reja reflektohet kryesisht te ato biznese që aktualisht kanë dalë në tregun e liberalizuar të energjisë.
Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që OST kërkon rritje të konsiderueshme të tarifës së transmetimit. Edhe në vitin 2022 u kërkua që tarifa të shkonë në 1.47 lekë/ kWh, por ajo u rrëzua nga ERE që vendosi nivelin 0.85 lekë/ kWh, nga 0.75 lekë/kWh, që ishte deri në prill të vitit 2022.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.