Energjia për familjet, 17% më shtrenjtë se tregu – Çmimi mesatar përllogaritet në 34.72 lekë/kwh, qeveria e kërkon 42 lekë/kwh
Pavarësisht se qeveria deklaron se konsumi mbi 800 kwh për familjarët do të tarifohet me çmimet e tregut, propozimi prej 42 lekë/kwh është ndjeshëm më i lartë edhe se ky i fundit. Si referencë për çmimet e tregut shërbejnë tarifat e klientëve të lidhur në tensionin 35 KV, që vijojnë të furnizohen nga OSHEE, nën rolin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.
Për këtë kategori, çdo muaj Enti Rregullator i Energjisë përcakton çmimin e energjisë, me të cilin tarifohen sipas lëvizjeve të tregut. Sipas përllogaritjeve të TV SCAN, çmimi mesatar i tregut për periudhën janar – korrik 2022 është 28.3 lekë/kwh, ndërkohë që së bashku me tarifat e transmetimit, shpërndarjes dhe kosto administrative të FMF, ky çmim shkon mesatarisht në 32.33 lekë/kwh.
Paralelisht, në propozimin e paraqitur publikisht qeveria i përllogarit në 7 lekë/kwh tarifat e transmetimit dhe shpërndarjes, nga 6.42 lekë që janë tarifat zyrtare të miratuara nga Enti Rregullator i Energjisë. Kjo do të thotë se çmimi që do të duhej të propozohet duhet të ishte 34.72 lekë/kwh. Praktikisht, qeveria kërkon një çmim 7.3 lekë/kwh apo 17% më të lartë sesa çmimet e tregut.
Gjithsesi, vendimi final për mundësinë e rikthimit të tarifimit me 2 fasha dhe çmimi përkatës është në dorën e Entit Rregullator të Energjisë. Pas shpalljes së palnit nga qeveria OSHEE do të duhet të depozitojë një aplikim pranë ERE-s, ku do të duhet të argumentojë propozimin për këtë rritje çmimi. Ndërkohë që, Enti Rregullator ka të drejtën të rrëzojë tërësisht kërkesën apo të përcaktojë çmime të ndryshme nga vlera e kërkuar.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.