Energjia, rritet mbështetja buxhetore – Plani 3-vjeçar/ Më shumë para’ se sivjet. Ja projektet prioritare për sigurinë energjetike
Qeveria parashikon rritje të shpenzimeve buxhetore për sektorin energjetik në 3 vitet e ardhshëm, në raport me buxhetin e këtij viti. Sipas programit buxhetor afatmesëm 2023 – 2025, për vitin që vjen buxheti për energjinë parashikohet të jetë 3.612 mld lekë, nga 3 mld lekë që ishte në vitin 2022.
Ndërkohë që, për vitet 2024 dhe 2025 mbështetja parashikohet në 3.632 mld lekë. Ndërkaq, sa i takon zhvillimit të sektorit, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, prioritet është garantimit dhe furnizimi me burime të sigurta energjetike, diversifikimi i furnizimit me burime energjetike dhe integrimi në rrjetet energjetike rajonale dhe Europiane, si dhe eficienca e energjisë.
Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, në vitin 2025 eficenca e energjisë do të rritet me 9.5% referuar vitit 2022, teksa përdorimi i energjisë së rinovueshme parashikohet të rritet me 48% në 2025-ën, në raport me vitin 2022. Sa i takon rritjes së sigurisë energjetike, fokusi duket se do të jetë ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës dhe linjat e interkonjeksionit me Maqedoninë dhe Greqinë.
Kjo sipas Programit të Reformave Ekonomike 2022 – 2024, të nxjerrë për konsultim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Dokumenti jep të dhna mbi ecurinë, që parashikohet të kenë këto projekte.
Përfundimi 2 nënstacioneve për linjën e interkonjeksionit me Maqedoninë e Veriut parashikohet në korrik në vitit 2023, ndërsa linjën e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Greqi, me gjatësi 127 km specifikohet se OST ka përfunduar studimin para fizibilitetit, ndërsa është kërkuar koordinimi me palën greke për angazhimin dhe përshpejtimin e hapave të nevojshëm për zbatimin e projektit.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.