ENI, shpime për naftë në Dumre – Shtyhen me 1 vit operacionet për vlerësimin e rezervuarit naftëmbajtës
Kompania ENI ka shtyrë me një vit planet për nisjen e shpimit të një pusi për kërkimin e naftës në Dumre. Në gusht të vitit që shkoi kompania italiane, që është mbajtëse e një marrëveshjeje hidrokarbure, parashikonte nisjen e punimeve në janar 2024, por sipas afateve të reja, punimet përgatitore parashikohen të nisin në dhjetor të këtij viti dhe të përfundojnë në tremujorin e 1-rë 2025. Ndërkohë që, shpimet e pusit kërkimor “Dumrea Deep 1” planifikoheshin në tremujorin e dytë të këtij viti, por tashmë janë parashikuar përgjatë tremujorit të parë ose të dytë të vitit 2025.
Detajet janë dhënë nga vetë kompania në aplikimin pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për t’u pajisur me leje mjedisore, që është kusht për kryerjen e këtyre operacioneve. E njëjta procedurë u synua edhe vitin që shkoi, por mesa duket nuk është finalizuar me marrjen e këtij dokumenti, që do i hapte rrugë punimeve në terren.
Qëllimi i projektit është të vlerësojë praninë e rezervuarit naftëmbajtës, që pritet të jetë midis 5,000 – 6,500 metra thellësi në tokë, me ndihmën e pusit kërkimor “Dumrea Deep 1”, me vendndodhje në fshatin Broshkë të Njësisë Administrative Papër, të Bashkisë Elbasan. Koha e shpimit vlerësohet në përafërsisht 211 ditë duke përfshirë mbylljen dhe braktisjen e pusit.
Kontrata me Ndarje Prodhimi mes Eni Albania dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Bllokun Dumre në rajonin qendror të vendit, u miratua nga qeveria në shkurt të vitit 2020.
Ola Mitre/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.