Euro dhe Paundi rikuperojnë humbjet – Banka e Anglisë vijon blerjen e obligacioneve, BQE do të rrisë interesat
Euro dhe paundi britanik kanë vijuar rimëkëmbjet edhe në sesionin e fundit të kësaj jave, duke e rrëzuar indeksin që mat ecurinë e dollarit amerikan në nivelin më të ulët në 1 javë. Politikëbërësit në Britaninë e Madhe ndërhynë në treg për të rikuperuar një pjesë të dëmeve të shkaktuara nga paketa e qeverisë për të ulur taksat.
Për rrjedhojë, paundi pritet të realizojë javën më të mirë në 2 vite e gjysëm. Edhe monedha e përbashkët europiane, euro, u rrit në nivelin më të lartë në 1 javë përballë dollarit amerikan, pasi të dhënat mbi inflacionin në Gjermani kanë përforcuar pritshmëritë për më shumë agresivitet me politikat monetare nga Banka Qendrore Europiane.
Paundi britanik u rrit deri në 1.12 dollarë, gjatë sesionit aziatik, duke rikuperuar thuajse të gjitha humbjet e së premtes të javës së kaluar. Gjatë sesionit aziatik, paundi u rrit me mbi 2%, menjëherë pasi Banka e Anglisë zhvilloi blerjen e dytë të obligacioneve në tregjet dytësore.
Të dhënat e publikuara në Gjermani, treguan se inflacioni u rrit në nivelin më të lartë në 25 vitet e fundit, i ndikuar nga çmimet e energjisë. Në këtë situatë, investitorët vlerësojnë një tjetër rritje të normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Europiane me 75 pikë bazë në takimin e muajit të ardhshëm.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.