Euro, e qëndrueshme në mbi 1.07 dollarë – Investitorët presin takimin e BQE, rritja e interesave në Korrik
Dollari amerikan po tregtohet i qëndrueshëm në sesionin e parë të kësaj jave, përballë euros, por fitimet më të mëdha i realizon në raport me jenin japonez. Investitorët po tregtohen të kujdesshëm pasi kjo javë do të jetë mjaft e rëndësishme, përsa i përket të dhënave ekonomike, sidomos mbi inflacionin.
Dollari u rrit deri në 131 jen, gjatë tregtisë aziatike, shumë pranë nivelit më të lartë në 20 vitet e fundit të regjistruar gjatë majit, ndërsa vetëm javën e kaluar u forcua me rreth 3%. Indeksi i dollarit amerikan, që mat ecurinë e monedhës amerikane përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare, është rritur në rreth 102, pas rritjes me 0.47% javën e kaluar.
Ngjarja kryesore e kësaj jave do të jetë takimi i Bankës Qendore Europiane, e cila pritet të përgatisë terrenin për rritjen e interesave në muajin korrik. Ka pasur gjithashtu spekulime se BQE mund të rrisë që në këtë takim normën bazë të interesit me 50 pikë bazë, pasi inflacioni regjistroi një rekord të ri gjatë majit.
Ndërsa në katër takimet e tjera të këtij viti, analistët parashikojnë një rritje të normës bazë të interesit me 125 pikë bazë. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin vijon të tregtohet në rreth 31 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1880 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.