Euro poshtë 100 lekëve, një normalitet i ri – Meka: Është thyer niveli psikologjik, po zbehen edhe luhatjet sezonale
Lidion Kulla/SCAN
Tregu i brendshëm valutor është futur në një normalitet të ri, me euron që do të mësohemi ta shikojnë shumë gjatë pranë niveleve aktuale. Elvin Meka, Zëvëndësrektor dhe Dekan i Fakultetit të Administrimit të Biznesit pranë Tirana Business University, deklaroi në studion e TV Scan se gradualisht po zbehen edhe luhatjet sezonale në këmbimin e euros me lekun.
Gjithashtu, sipas z. Meka nuk përjashtohet që euro të zbresë edhe më poshtë në raport me lekun, sepse është thyer niveli psikologjik prej 100 lekësh, por kjo do të varet kryesisht nga kërkesa dhe oferta.
Ndërkohë, të enjten Banka Qendrore Europiane e uli normën bazë të interesit me 25 pikë bazë, në nivelin e 3.5% për shkak se inflacioni ka shkuar pranë objektivit. Sipas z. Meka të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe Banka e Shqipërisë, mbase në takimin e tetorit.
Të premten, euro u zhvlerësua lehtë në raport me lekun në tregun e brendshëm dhe preku një nivel të ri rekord. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro këmbehej të premten mesatarisht me 99.47 lekë, niveli më i ulët në histori.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.