Euro rikuperon pjesërisht humbjet – Credit Suisse, ndihmë prej 54 miliard USD nga Banka Kombëtare e Zvicrës
Euro i është rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, pas humbjeve të konsiderueshme të një dite më parë. Investitorët i frikësohen një krize financiare globale, pasi kontaminimi i bankës amerikane, Silicon Valley u përhap përtej Atlantikut duke krijuar probleme për bankën zvicerane, Credit Suisse. Aksionet e kësaj banke ranë me rreth 30% në sesionin e kaluar, pasi aksioneri më i madh, Saudi National Bank deklaroi se nuk mund ta ndihmojë më tej bankën zvicerane.
Pas këtyre problemeve, Credit Suisse deklaroi se do të marrë një ndihmë prej 50 miliardë franga zvicerane ose 54 miliardë dollarë nga Banka Kombëtare e Zvicrës. Për shkak të këtyre problemeve, dollari amerikan dhe jeni japonez, që cilësohen si parajsa të sigurta u rritën ndjeshëm në sesionin e kaluar. Megjithatë, investitorët janë të shqetësuar se, problemet e shfaqura në të dyja anët e Atlantikut mund të përhapen të të gjithë sistemin financiar.
Fokusi i investitorëve do të jetë edhe te vendimet që do të marrin bankat qëndrore javën e ardhshme. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet i qëndrueshëm në rreth 24,700 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1660 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.