Euro zgjeron fitimet përballë Dollarit – Monedha e gjelbër pritet të realizojë javën më të keqe që nga fillimi i shkurtit!
Euro ka vijuar tendencën në rritje edhe në sesionin e sotëm, përballë dollarit, për shkak të rënies së yield-eve të obligacioneve të thesarit amerikan. Në këtë mënyrë, dollari pritet të realizojë javën më të keqe që nga fillimi i shkurtit, por në 14 javët e fundit është rritur me mbi 10%.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare është në rënie me rreth 1.5%, në rreth 102.9, ndërsa më herët gjatë këtij muaji u rrit deri në 105, niveli më i lartë që nga janari i vitit 2003. Yieldi i obligacioneve 10-vjeçare amerikane, që merret si bençmark edhe për obligacionet e tjera, preku nivelin më të ulët në 3 javët e fundit, prej 2.772%.
Ndërkohë, franga zvicerane pritet të realizojë javën më të mirë që nga marsi i vitit 2020, ndërsa dollari ka rënë me 2.9% në raport me monedhën zvicerane. Shqetësimet në rritje se Rezerva Federale dhe bankat e tjera qëndrore janë shumë prapa në luftën kundër inflacionit të lartë dhe nevoja për të bërë më tepër nëpërmjet shtrëngimit të politikave monetare, po transmetojnë panik në ekonomi.
Gjithashtu, edhe lufta në Ukrainë nuk po tregon shenja të zgjidhjes, duke zbehur akoma më shumë parashikimin për ekonominë globale dhe stabilizimin e lëndëve të para. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po tregtohet pranë 30 mijë dollarëve, ndërsa ethereum pranë 2 mijë dollarëve.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.