Euro zgjeron fitimet përballë USD – Monedha mbështetet nga ndryshimi i projeksioneve mbi inflacionin
Euro e ka nisur në rritje edhe këtë javë, në raport me dollarin amerikan, pas fitimeve me rreth 1% javën e kaluar. Monedha europiane vijon të mbështetet nga komentet e bëra nga presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, e cila tha se inflacioni do të jetë prezent për një kohë më të gjatë.
Edhe paundi britanik po qëndron në rritje të lehtë, në raport me monedhën e gjelbër sepse investitorët besojnë se Banka e Anglisë mund t’i japë fund rritjes së interesave. Në anën tjetër, jeni japonez është rritur ndjeshëm, pasi Banka e Japonisë së bashku me qeverinë mund të rishikojnë një dokument në lidhje me objektivin e inflacionit, që mund t’i hapë rrugën ndryshimit të programit të letësimit sasior.
Në vitin 2013, qeveria japoneze dhe banka qendrore ndërmorrën një angazhim të përbashkët për të ulur inflacionin pranë objektivit prej 2%, sa më shpejt të jetë e mundur. Në takimet e fundit për këtë vit, Banka Qendrore Europiane, Rezerva Federale dhe Banka e Anglisë rritën normën bazë të interesit me gjysëm pikë përqindje dhe përçuan mesazhe të kujdesshme në lidhje me rritje të tjera, për të mos dëmtuar ekonominë. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po qëndron në rreth 16,700 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1180 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.