Europa është “kapur” nga një krizë e dyfishtë – Shefi i ekonomisë së BE, Gentiloni: Recesioni mund të shmanget!
Shefi i ekonomisë së BE-së deklaroi se Europa po përballet me një krizë të dyfishtë, por pavarësisht kësaj ajo mund të shmangë një recesion të mundshëm. Komisioneri Europian për Çështjet Ekonomike, Paolo Gentiloni, duke iu referuar ndikimit gjeopolitik si pasojë e pushtimit të Rusisë në Ukrainë dhe goditjeve ekonomike pasuese në kontinentin europian, tha se gjithësesi rajoni mund të shmangë një recesion.
Ai shtoi se nga pikëpamja gjeopolitike, kriza ndikoi gjithashtu, natyrisht, në SHBA dhe në mbarë botën, por nga pikëpamja ekonomike, ajo ndikoi seriozisht Europën dhe Gjermaninë në veçanti. Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar ngjalli shqetësime serioze në Europë se rajoni do të hynte në një ngadalësim të konsiderueshëm ekonomik.
Megjithatë, rajoni ka qenë në gjendje të sigurojë furnizime alternative të energjisë, të cilat deri atëherë vinin kryesisht nga Rusia, dhe disa qeveri ishin në gjendje të ofronin lehtësim për konsumatorët që përballeshin me kosto të larta të energjisë.
Ekonomia e Eurozonës u rrit me një normë prej 3.5% në vitin 2022, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Institucioni pret një normë rritjeje prej 0.8% për eurozonën këtë vit dhe 1.4% në 2024 – ën.
Të dhënat e fundit ekonomike kanë ngritur shqetësime për një ngadalësim. Për shembull, aktiviteti i biznesit europian u tkurr gjatë gushtit, në nivelin më të ulët që nga nëntori 2020.
Inflacioni është zbutur muajt e fundit, por grupi i fundit i të dhënave tregoi se shifra totale në gusht është e qëndrueshme nga një muaj më parë në 5.3%. Edhe pse më e ulët se në fillim të këtij viti, ajo është ende shumë mbi objektivin e Bankës Qendrore Europiane prej 2%. Gentiloni theksoi se pas një rikthimi të fortë pas pandemisë ekonomia po ngadalësohet. Shkak për këtë është sfida për të fituar pavarësinë energjetike, e cila ishte shumë e kushtueshme për familjet dhe nxiti inflacionin.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.