Familjet greke, 10% më pak shpenzime për ushqimin – Qeveria do të subvencionojë për gjashtë muaj rritjen e çmimeve
Parlamenti grek pritet të miratojë të martën një vendim të qeverisë të njohur si Leja e Tregut, që synon të subvencionojë familjet, duke frenuar deri në një farë mase kryesisht rritjen e çmimit të ushqimeve. Platforma për dorëzimin e aplikimeve nga përfituesit do të hapet në fillim të muajit shkurt dhe pagesat e para do të kryhen në fund të të njëjtit muaj. Masa do të zgjasë deri në korrik dhe shuma e subvencionit do të kreditohet në llogaritë bankare, ose në kartat dixhitale të përfituesve.
Ndihma varion nga 22 deri në 72 euro (përkatësisht për një familje me një anëtar, ose për një familje me katër fëmijë). Kostoja totale e masës arrin në 650 milionë euro dhe financohet tërësisht nga tatimi mbi fitimet e tepërta të rafinerive.
Masa e mbështetjes financiare do të mbulojë 10% (pra inflacioni mesatar), të barrës së kostove ushqimore për 3.2 milionë familje me 8.5 milionë anëtarë.
Karta dixhitale do të mbulojë blerjet me pakicë të ushqimeve në supermarkete, mini markete, furra buke dhe në të gjitha dyqanet e tjera të ushqimeve.
Përfitues do të jenë familjet, të ardhurat totale vjetore të të cilave janë deri në 16,000 euro për familjet njëanëtarëshe dhe 24,000 euro për çiftet e martuara, e cila rritet me 5,000 euro për çdo fëmijë ose anëtar të ftuar të familjes.
Kufiri mujor i blerjeve për familje në të cilën ai merr ndihmën 10% është 220 euro për një familje me një anëtarë, duke u rritur me 100 euro për çdo anëtar shtesë të familjes dhe deri në 1000 euro blerje.
Dorian Koça/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.