Fatkeqësitë madhore në Shqipëri, në krye risku teknologjik – Jo më përmbytjet e zjarret, UNDP: Risk i lartë nga stoqet ushtarake, hidrokarburet, energjetika
Konteksti i ri global, i ndikuar fort nga konflikti në Ukrainë, ka përmbysur listën e fatkeqësive që rrezikojnë shqiptarët. Në listë ka hyrë një rrezik i cili as që ekzistonte në strategjitë e mëparshme në fushën e emergjencave civile. UNDP në bashkëpunim me Qeverinë kanë përgatitur një dokument të ri për vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë madhore në Shqipëri. Bie në sy se në vendin e parë të listës, bashkë me rrezikun nga përmbytjet, është pozicionuar rreziku teknologjik. Në Planin Kombëtar për Emergjencat Civile (PKEC) të vitit 2004, i cili vazhdon të jetë dokumenti kryesor në fushën e emergjencave civile risqet kryesore janë: • Përmbytjet; • Tërmetet; • Zjarret në pyje; • Rrëshqitjet e tokës; • Bllokimet nga reshjet e dendura të dëborës dhe ortekët; • Epidemitë; dhe • Shpërthimet e digave.
Ndërkohë që sipas vlerësimi të ri, aktualisht risqet më kritike nga fatkeqësitë, të cilat kanë një potencial të lartë për ndikim negativ në zhvillimin e vendit, janë përmbytjet, rreziqet teknologjike me nivel të barabartë rreziku, të pasuara nga risqet biologjike, rrëshqitjet e tokës dhe tërmetet.
Por çfarë është rreziku teknologjik. Në dokumenti, Risku teknologjik i referohet rrezikut nga një aksident madhor, një burimi rreziku që ka potencialin për të shkaktuar një incident madhor, i cili rezulton në shumë viktima dhe/ose në dëme të konsiderueshme ndaj një centrali, pajisjeje ose mjedisit. Një rrezik që e ka origjinën nga kushtet teknologjike ose industriale, duke përfshirë aksidentet, procedurat e rrezikshme, problemet në infrastrukturë ose aktivitete të caktuara njerëzore, të cilat mund të shkaktojnë humbje të jetës, lëndime, sëmundje ose ndikime të tjera në shëndet, dëmtime të pronës, humbje të mjeteve të jetesës dhe shërbimeve, çrregullime sociale dhe ekonomike ose dëme mjedisore.
Rreziqet
kryesore teknologjike lidhen me sektorët ekonomikë në vijim: • Prodhimi, transporti, magazinimi dhe tregtia e naftës dhe nënprodukteve të saj; • Sektori i gazit natyror, duke përfshirë tubacionet e gazit; • Sektori i energjetikës/energjisë, duke përfshirë prodhimin e energjisë elektrike dhe transportimin e saj; • Materialet e rrezikshme të veprimtarisë së mëparshme industriale dhe stoqeve të municioneve ushtarake; • Sektori minerar; dhe në fund, • Risku i lidhur me sektorin e transportit, duke përfshirë transportin rrugor, hekurudhor, detar dhe ajror nuk u morën parasysh gjatë procesit të vlerësimit specifik të rrezikut.
“Për sa i përket rreziqeve teknologjike në Shqipëri, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet stoqeve të vjetra të materialeve të rrezikshme nga periudhat e kaluara”, thekson analiza e UNDP.
Konkluzionet e këtij vlerësimi do të jenë pikat e referencës së Strategjisë Kombëtare Për Zvogëlimin e Riskut Nga Fatkeqësitë 2023-2030, e cila sapo është hedhur për konsultim publik nga Qeveria.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.