FED rrëzon aksionet globale – Powell sinjalizon se interesat do të jetë në larta përtej vitit 2023
Tregjet europiane po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm, pas vendimeve të Rezervës Federale, në lidhje me normat e interesit. Indeksi pan-Europian e ka nisur ditën në rënie me 0.8%, ndërsa sektori industrial realizon humbjet më të mëdha, në rënie me 1.4%. rritja e normës bazë të interesit me gjysëm pikë përqindje ishte e pritshme nga ana e investitorëve, por shumica e tregjeve globale reaguan negativisht ndaj sinjalizimit të bankës qendrore amerikane se kostot e huamarrjes do të qëndrojnë të larta përtej vitit 2023.
Presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell deklaroi se shenjat e fundit mbi inflacionin mund të sugjerojnë se çmimet kanë arritur kulmin, por është ende herët që banka qëndrore të ndalojë rritjen e interesave. “Presionet e çmimeve janë të dukshme në të gjitha kategoritë e mallrave dhe shërbimeve.
Për këtë arsye, është ende herët të themi nëse mund të ndalojë këtu me rritjen e interesave”, deklaroi Powell. Ditën e sotme pritet që edhe Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë të rrisin normën bazë të interesit me gjysëm pikë përqindje.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.