FED rrëzon dollarin amerikan – Powell sinjalizon se rritja e interesave do të ngadalësohet në dhjetor
Dollari amerikan ka rënë ndjeshëm në sesionin e sotëm, pasi presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell deklaroi se banka qëndrore mund të fillojë ngadalësimin e rritjes së interesave që në takimin e dhjetorit. Për këtë arsye, dollari ka zgjeruar humbjet dhe ka realizuar muajin më të keq që nga viti 2010. Powell tha se Rezerva Federale do të ngadalësojë rritjen e interesave, në mënyrë që të balancojë rreziqet.
Tashmë, analistët vlerësojnë se, norma bazë e interesit do të rritet në 4.95% në maj të vitit të ardhshëm, krahasuar me 5.06% që vlerësohet në qershor. Në takimin e 13 dhe 14 dhjetorit, Rezerva Federale pritet të rrisë normën bazë në interesit me 50 pikë bazë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan përballë shportës me monedhat kryesore ndërkombëtare humbi rreth 1% të vlerës në sesionin e kaluar, në rreth 105.8.
Ndër të dhënat e tjera, inflacioni në Eurozonë vijoi ngadalësimin edhe gjatë nëntorit, duke u rritur me 10% me bazë vjetore, por në rënie me 0.6% me bazë mujore. Investitorët po presin edhe të dhënat mbi punësimin në SHBA, që publikohen të premten. Analistët parashikojnë se ekonomia më e madhe në botë do të ketë krijuar edhe 200 mijë vende të reja pune, gjatë nëntorit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.