Firmat energjetike ndihmojnë biznesin e vogël – Në Francë vendoset një kufi çmimi prej 280 euro për megavat orë
Furnizuesit e energjisë në Francë kanë rënë dakord të mbështesin bizneset e vogla, që përballen me rritjen e cmimeve duke i garantuar atyre një kufi cmimi prej 280 euro për megavat orë. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Financave, Bruno Le Maire. Pas takimit me drejtuesit e kompanive prodhuese të energjisë ai u shpreh se ky është një lehtësim i madh.
Presidenti Emmanuel Macron u kërkoi furnizuesve të energjisë, përfshirë dhe EDF e TotalEnergies, që të bëjnë dhe më shumë për të ndihmuar klientët që të përballojnë rritjen e cmimeve të energjisë e cila muajt e fundit e ka cuar inflacionin në nivele rekord.
Macron ishte shprehur se ishte e papranueshme që kompanitë të regjistrojnë fitime të jashtëzakonshme në një moment që bisneset e vogla janë në vështirësi.
Një pjesë e madhe e bizneseve të vogla në Francë, të cilat sipas përkufizimit zyrtar përfshijnë të gjitha firmat me më pak se 10 punonjës, mbrohen tashmë nga një rritje prej 15% e cmimit për gazin dhe energjinë elektrike për konsum shtëpiak.
Por shumë prej tyre vitin e kaluar u detyruan të nënshkruanin kontrata të reja në tregun e hapur kur cmimet u rritën. Dhe duke mos pasur rezerva të mjaftueshme parash ata aktualisht po përballen me fatura të larta.
Në fillim të kësaj jave, ministri i financave priti në një takim të vecantë furnizuesit e energjisë për të ndihmuar furrat, shumë prej të cilave po mbyllen si pasojë e rritjes së cmimeve të drithërave dhe energjisë.
Macron konfirmoi zgjerimin e përpjekjeve të qeverisë për të ndihmuar sipërmarrjet e vogla duke thënë se të gjitha kontratat nëpër sektorë mbi cmimin e referencës së rregullatorit të energjisë së vendit në fund të vitit 2022, që caktonin cmimin prej 280 euro për megavatorë, duhet të rishikohen.
Pronarët e bizneseve të vogla tani mund t’u thonë furnitorëve se duan çmimin e garantuar përmes një formulari të standardizuar.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.