Firmoset marrëveshja, Shqipëria anëtare e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile!
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe komisioneri Europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič firmosën sot, në mjediset e Kryeministrisë marrëveshjen për anëtarësim në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.
Kërkesa për anëtarësim u dorëzua nga kryeministri Edi Rama në qershor të këtij viti. Pas firmosjes së marrëveshjes, ministri Peleshi vlerësoi në konferencën e përbashkët mbështetjen që Mekanizimi Evropian i Mbrojtjes Civile i ka dhënë Shqipërisë. Ai tha se Shqipëria ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve dhe me këtë anëtarësim përfiton shumë.
Sipas njoftimit komisioneri Europian Lenarčič u shpreh se: “Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Ky është një hap kyç përpara në procesin historik drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por edhe për mbrojtjen dhe sigurinë”.
I pranishëm në firmosjen e marrëveshjes ishte dhe drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako.
Në informacionit e publikuar theksohet se me firmosjen e kësaj marrëveshje Shqipëria merr statusin e vendit pjesëmarrës në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile dhe kjo mundëson gjithashtu forcimin e kapaciteteve, arritjen e standardeve të duhura në teknologji, mjete dhe pajisje bashkëkohore, trajnime dhe certifikime të ekipeve shqiptare, të cilat do të ndërveprojnë me ekipet evropiane në raste fatkeqësish natyrore dhe atyre të shkaktuara nga dora e njeriut.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.