Fituesi i Nobelit, në krye të qeverisë së Bangladeshit – Muhammad Yunus njihet si “Bankieri i të varfërve”
Kristi Ceta /SCAN
Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus është zgjedhur në krye të qeverisë së përkohshme të Bangladeshit, pasi kryeministrja e vendit dha dorëheqjen dhe u largua jashtë vendit pas një kryengritjeje të madhe kundër sundimit të saj.
I njohur si “bankieri i të varfërve”, Yunus do të jetë kryeministër i përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Largimi i kreut të mëparshëm Sheikh Hasina e ka zhytur Bangladeshin në një krizë politike. Ushtria ka marrë përkohësisht kontrollin, pasi presidenti shpërndau Parlamentin dhe hapi rrugën për zgjedhje. Drejtuesit e studentëve që organizuan protestat kanë kërkuar që Yunus, i cili deri një ditë më pare ndodhej në Paris për Lojërat Olimpike si këshilltar i organizatorëve, të drejtojë një qeveri të përkohshme. Junus e quajti dorëheqjen e Hasinës si “ditën e dytë të çlirimit të vendit”.
Një ekonomist dhe bankier me profesion, Yunus u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2006 për përdorimin e mikrokredive për të ndihmuar njerëzit e varfër, veçanërisht gratë. Komiteti i Çmimit Nobel për Paqe e vlerësoi Yunus dhe Bankën Grameen “për përpjekjet e tyre për të krijuar zhvillim ekonomik dhe social nga shtresat e poshtme”.
Yunus themeloi Grameen Bank në 1983 për të dhënë kredi të vogla për sipërmarrësit që normalisht nuk do të kualifikoheshin për t’i marrë ato. Suksesi i bankës në nxjerrjen e njerëzve nga varfëria çoi në përpjekje të ngjashme mikrofinancimi në vende të tjera.
Yunus Social Business është I pranishëm edhe në gjashtë vendet e Ballkanit dhe synon të pajisë sipërmarrësit socialë dhe të rinj me njohuritë, aftësitë dhe mjetet për të hartuar, testuar, ndërtuar dhe rritur iniciativat sipërmarrëse që kanë potencialin për të krijuar ndikim pozitiv social për shoqërinë.
Muhammad Yunus lindi në vitin 1940 në Chittagong, Bangladesh. Ai mori doktoraturën nga Universiteti Vanderbilt në Shtetet e Bashkuara dhe dha mësim atje për një kohë të shkurtër përpara se të kthehej në vendlindje.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.