Flukset e paligjshme të parave – Shahini: Krimet duhet të kodifikohen për të patur rezultate në luftën ndaj pastrimit të parave
Ola Mitre / SCAN
Shqipëria duhet të kodifikojë të gjitha llojet e krimeve, si një nga format kryesore për vlerësimin e flukseve të paligjshme të parave, për të prodhuar rezultate në luftën kundër pastrimit të parave”. Rekomandimi erdhi nga Ledjon Shahini, pedagog në Universitetin e Tiranës, gjatë një seminari kërkimor mbi Politikat Kundër Pastrimit të Parave, të organizuar nga Iniciativa për Sundimin e Ligjit të Shoqatës Amerikane të Avokatëve (ABA ROLI).
“Nëse ne do të jemi në gjendje të kodifikojmë të gjitha llojet e krimit në Shqipëri dhe pas kësaj t’i krahasojmë me kodet për flukset e paligjshme, kjo është një mënyrë shumë e mirë për t’i vlerësuar ato. Nëse nuk i kodifikon nuk do të jesh në gjendje t’i vlerësosh”, – tha Shahini.
Megjithatë, sipas tij aktualisht ekzistojnë një sërë vështirësish në këtë drejtim.
“Problemi në këtë rast është që kur vjen puna tek të dhënat që duhet të jenë të disponueshme nga institucione të ndryshme të Shqipërisë është e vështirë, shumë e vështirë. E them këtë sepse unë kam punuar vetë në këto institucione dhe përveç atyre që ne mund të merrnin prej Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të tjerat janë shumë të vështira për t’u mbledhur dhe nuk e kam fjalën vetëm për vlera, por idea është të kesh informacion të detajuar për t’i kodifikuar këto informacione. Kështu që duhet të jenë në cilësi të mirë të dhënat që të prodhojmë rezultate të mira”, – u shpreh Shahini.
Seminari mblodhi ekspertë rajonalë dhe evropianë, me qëllim shkëmbimin e praktikave dhe mjeteve më të mira për zhvillimin e politikave dhe strategjive efektive të luftës ndaj pastrimit të parave. Në nivel global, qeveritë, institucionet financiare dhe organet rregullatore po intensifikojnë përpjekjet për të zhvilluar dhe zbatuar rregulloret kundër pastrimit të parave, për të luftuar krimet financiare, për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe për të siguruar transparencë financiare. Ndërkohë që, edhe Shiqëpria pak javë më parë miratoi “Strategjinë kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit 2024 -2030” dhe Planin e Veprimit, 2 dokumente që do të orinetojnë politikat shtetërore në këtë drejtim.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.