Fondet spekulative, baste ndaj borxhit italian – Nxitimi i investitorëve, ndërsa vendi përballet me vështirësi ekonomike dhe politike
Fondet spekulative kanë vendosur bastin më të madh ndaj obligacioneve të qeverisë italiane që nga kriza financiare globale, për shkak të shqetësimeve në rritje për trazirat politike në Romë dhe varësia e vendit nga importet e gazit rus. Kjo është raportuar nga Financial Times, ku sipas të dhënave nga S&P Global Market Intelligence, vlera totale e obligacioneve italiane të huazuara nga investitorët për të vënë bast për një rënie të çmimeve arriti në nivelin më të lartë që nga janari 2008 këtë muaj, me mbi 39 miliardë euro.
Nxitimi i investitorëve për të vënë baste kundër Italisë vjen ndërsa vendi përballet me më shumë vështirësi ekonomike që vijnë nga rritja e çmimeve të gazit natyror në Europë, të shkaktuar nga shkurtimet e furnizimit të Rusisë, si dhe nga skenari i një fushate zgjedhore shumë të “nxehtë”.
“Është vendi më i ekspozuar për sa i përket çmimeve të gazit dhe politika është e vështirë,” tha Mark Dowding, shefi i investimeve të BlueBay Asset Management, i cili menaxhon rreth 106 miliardë dollarë të aseteve të njohura.
Muajin e kaluar, FMN paralajmëroi se embargo ruse e gazit do të çonte në një tkurrje ekonomike prej më shumë se 5% në Itali dhe tre vende të tjera, nëse këto vende nuk do të ndanin furnizimet mes tyre. Italia konsiderohet gjithashtu nga investitorët si ndër vendet më të cenueshme nga vendimi i BQE-së për të përfunduar programet e saj stimuluese, duke rritur normat e interesit dhe ndaluar blerjet e bonove që kanë mbështetur tregun e madh të borxhit të vendit. Periudha e qetësisë relative politike, e inauguruar me emërimin e Mario Draghit si kryeministër në shkurt 2021, u prish në korrik të këtij viti, me krizën qeveritare që e ktheu Italinë në fushatë elektorale.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.