Formula e re: Rritje e indeksim të përvitshëm pagash! Propozimi: Çdo 1 korrik, indeksim sa inflacioni e rritje sa 1/3 e rritjes ekonomike
Në Kuvend është depozituar një nismë që synon të sanksionojë detyrimin e qeverisë dhe kompanive për të indeksuar dhe rritur pagat në mënyrë të përvitshme. Nisma, nëse do të arrijë të marrë votat në parlament, parashikon aplikimin e kësaj mase duke nisur nga viti i ardhshëm.
Synimi në këtë rast është lidhja e indikatorëve të ekonomisë shqiptare me pagat. Pra, që çdo vit të këtë një ndryshim të nivelit të pagave me një përqindje që merr parasysh rritjen reale të ekonomisë dhe rritjen e çmimeve. Nëse ka rritje reale negative të ekonomisë, atëhere duhet të bëhet vetëm indeksim.
Praktikisht, në vitet e mëparshme qeveritë kanë ndjekur dy praktika, atë të rritjes së pagave me një përqindje që jo përherë ka qenë e lidhur me nivelin e rritjes ekonomike dhe atë të indeksimit, që ka qenë e lidhur me inflacionin. Shpeshherë, indeksimi i pagave dhe pensioneve është cilësuar nga qeveria si rritje që reflekton rritjen reale ekonomike, kur në fakt ka qenë vetëm një rritje që kompensonte rritjen e çmimeve.
Nisma e depozituar në Kuvend nga deputetët e LSI-së, evidenton se që prej vitit 2017 pjesa më e madhe e administratës nuk ka përfituar as rritje e as indeksim pagash, me përjashtim të mjekëve, mesuesve e ushtarakëve. Ndërkohë, vendi ka njohur ritme pozitive të rritjes ekonomike vitet e fundit por nga kjo rritje nuk ka përfituar administrata. Madje, sipas propozuesve, punonjësit janë penalizuar nga rritja e fortë e çmimeve, sidomos këtë vit.
Sa i përket rritjes vjetore të pagës, propozimi parashikon që pagat dhe të ardhurat nga aksidentet në punë apo sëmundjet profesionale të rriten çdo vit kalendarik në nivelin e 1/3 të rritjes reale ekonomike. Rritja duhet të bëhet çdo vit kalendarik në datën 1 korrik, duke marrë për bazë rritjen reale të ekonomisë në vitin paraardhës. Kjo rritje nuk do të zbatohet vetëm në rastin kur të dhënat zyrtare tregojnë për rritje reale negative të ekonomisë. Po ashtu, veç rritjes, përqindja e ndryshimit të pagave duhet të marrë parasysh edhe indeksimin e tyre në bazë të inflacionit, duke marrë për bazë nivelin mesatar vjetor të tij. E njëjta praktikë, propozohet që të ndiqet edhe me pagën minimale në shkallë vendi, shkruan ‘SCANTV’.
Propozuesit kërkojnë që aplikimi i kësaj mase të nisë nga viti i ardhshëm, por parashikimet buxhetore të bëhet që këtë vit, në diskutimet që do të nisin për projekbuxhetin e vitit 2023.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.