Franca, 45 miliardë euro për biznesin e qytetarët – Ministri i Financave, Le Maire shpjegon përfituesit e kësaj pakete
Qeveria franceze po planifikon një paketë prej 45 miliardë euro për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset nga rritja e kostos së energjisë. Ministri i Financave, Bruno Le Maire, tha se rritja e kostos së gazit dhe energjisë elektrike do të kufizohet në 15% nga janari. Rritjet e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike janë aktualisht të kufizuara në 4% deri në fund të vitit.
Le Maire tha se prioriteti numër 1 i qeverisë është frenimi i inflacionit. “Sfida më e rëndësishme dhe më urgjente për Francën dhe vendet e tjera europiane është ulja e presionit inflacionist. Nuk duam të rrisim taksat, por duam të mbrojmë familjet,” shtoi ai.
Sipas Le Maire, 3 miliardë euro do të financohen për të ndihmuar kompanitë e kërcënuara nga rritja e çmimeve të energjisë, veçanërisht ato “të ekspozuara ndaj konkurrencës ndërkombëtare”.
Një rritje u njoftua edhe për pagat e mësuesve, si dhe për 10,000 vende të reja pune në shërbimin civil, duke përfshirë 2,000 mësues të rinj dhe financimin e 6,000 shtëpive për refugjatët dhe azilkërkuesit.
Ministri i Financave parashikon se inflacioni do të mbetej në rreth 6% në muajt e ardhshëm përpara se të binte në 4% në 2023. Prioriteti i dytë i qeverisë ishte mbajtja e shpenzimeve publike brenda 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto me synimin për ta ulur atë në kufirin e kërkuar nga BE prej 3% deri në vitin 2027.
Parashikimet ekonomike nga fillimi i këtij muaji sugjerojnë se rritja në ekonominë e Francës do të bjerë në 1% vitin e ardhshëm nga 2.7% këtë vit. Megjithatë, Këshilli i Lartë për financat publike, një organ i pavarur, ka thënë se parashikimet e qeverisë janë optimiste.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.