Franca do të ‘funksionojë’ deri në 65 vjeç: Kryeministrja do të zbulojë reformën e diskutueshme të pensioneve!
Kryeministrja franceze Elisabeth Borne do të zbulojë të martën detajet e një projekti jashtëzakonisht të diskutueshëm të reformës së pensioneve për të rritur moshën e pensionit në 65 vjeç. Plani tashmë ka zemëruar një shumicë të madhe votuesish dhe do të jetë një test kyç i aftësisë së presidentit francez Emmanuel Macron për të zbatuar ndryshim.
Duke folur përpara bisedimeve të ashpra me sindikatat që i kanë rezistuar ashpër çdo ndryshimi, Borne i tha radios FranceInfo se mosha 65 vjeçare “nuk është e vendosur në gur”. Ajo shtoi se “zgjidhje të tjera” mund të ndihmojnë qeverinë të arrijë objektivin e saj për të balancuar sistemin e pensioneve deri në vitin 2030.
Rishikimi do të ishte një nga më të gjerat në një seri reformash pensionesh të miratuara nga qeveritë e njëpasnjëshme si në të majtë ashtu edhe në të djathtë në dekadat e fundit, me synimin për t’i dhënë fund mangësive buxhetore.
Ajo që është e qartë është se francezëve do t’u duhet të punojnë më gjatë se sa aktualisht.
Rezultati më i mundshëm do të shihte rritjen e moshës së pensionit në 64 nga 62 që është aktualisht. Macron fillimisht mbështeti 65, por heqja dorë nga një vit do ta bëjë më të lehtë miratimin e reformës në parlament.
Por për sindikatat, të cilat të gjitha kanë refuzuar rritjen e moshës së pensionit, 64 apo 65 nuk kanë shumë rëndësi. Çdo ndryshim në moshën e pensionit do të ishte “një vijë e kuqe”, tha Laurent Berger, kreu i sindikatës së moderuar CFDT.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.