Franca kursen energjinë në resortet dimërore – Teleferikët e skive më të ngadaltë dhe më pak borë artificiale
Menaxherët e rezorteve të skive në Alpet franceze po përpiqen të gjejnë mënyra për të kursyer energjinë si pjesë e një përpjekjeje kombëtare për të reduktuar konsumin. Gjysma e këtyre vendpushimeve po përgatiten që faturat e energjisë të jenë deri në gjashtë herë më të larta në krahasim me vitet e mëparshme.
Në Chamonix, afër Zvicrës, nëse nuk ka shumë njerëz, teleferiku do të lëvizë 10% më ngadalë. Dhe nëse resorti merr një alarm se furnizimet me energji elektrike nuk mund të plotësojnë kërkesën, Chamonix do të ngadalësojë teleferikët me 30%.
Një numër vendpushimesh skish përfshirë Chamonix dhe Val Thorens janë zotuar gjithashtu të kufizojnë prodhimin artificial të borës dhe të reduktojnë ngrohjen brenda ndërtesave. Në Val Thorens, stafi i mirëmbajtjes dhe restorantit do të ketë një kohë prej rreth 10 minutash – në vend të një ore – për t’u ngjitur me teleferik në vendin e tyre të punës përpara se të hapen pistat.
Këto masa do të jenë të padukshme dhe pa dhimbje për klientët. Kjo pasi objektivi është që ata të mos ndiejnë ndikimin e reduktimit të energjisë. Gjysmës së vendpushimeve të skive në Francë iu është dashur të rinegociojnë kontratat e tyre afatgjata të energjisë elektrike këtë vit në mes të inflacionit rekord.
Për shembull, fatura e energjisë për vendpushimet e skive në Savoie, duhet të arrijë në 1.6 milion € vitin e ardhshëm, nga 400 mijë euro në 2020-ën. Çmimet e biletave të teleferikëve do të rriten me rreth 5%, por nuk do të mbulojnë të gjitha kostot e larta operative.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.