Francezët përveshin mëngët, gati për protesta – Grevë kombëtare kundër reformës së pensioneve
Franca përgatitet për grevën e madhe të përgjithshme të organizuar nga sindikatat kundër reformës së pensioneve. Të enjten e 19 janarit do të ketë një grevë kombëtare duke rrezikuar paralizimin e vendit. Punëtorët, nga sektori i transportit deri tek ai i shëndetësisë do të marrin pjesë në manifestimet e organizuara në qytetet kryesore të vendit.
Në pritje të kësaj dite, në Marsejë qindra persona marshuan duke kundërshtuar projektligjin e qeverisë që parashikon – duke filluar nga viti 2030 – rritjen e moshës së daljes në pension në 64 vjec, nga 62 vjec që është aktualisht. Gjithashtu do të eliminojë dhe pjesën më të madhe të skemave të vecanta.
Pritet një pjesëmarrje e madhe sidomos mes punëtorëve të atyre sektorëve që rrezikojnë të humbasin skemat e tyre të vecanta të pensionit; si psh. Metrotë, kompanitë energjitike dhe ato të gazit. Sindikatat kërcënojnë për një zgjatje të grevës duke paralajmëruar një bllokim të mëtejshëm të rafinerive dhe depozitave të karburanteve. Dicka e tillë do të ishte përsëritje e situatës të një viti më parë.
Por nëse kjo reformë kundërshtohet nga sindikatat dhe punëtorët, për kryeministren franceze Elizabet Borne është absolutisht e domosdoshme. Ajo theksoi se nuk ka nëj zgjidhje tjetër pasi numri i të punësuarve po zvogëlohet në krahasim me atë të pensionistëve. Në vitin 2005 regjistroheshin 2 të punësuar për cdo pensionist, ndërsa aktualisht janë 1.7 ose 1.5. Për këtë arsye sipas saj duhet rivendosur ekuilibri i sistemit të pensioneve.
Sipas reformës së kërkuar nga qeveria, parashikohet dalja në pension në moshën 64 vjecare duke filluar nga viti 2030, duke u rritur gradualisht me 3 muaj çdo vit. Nga ana tjetër, mosha në të cilën mund të dalësh në pension pa zbritje për kontributet e munguara mbetet 67 vjeç dhe ajo për punëtorët në situatë invaliditeti ose paaftësie mbetet 62 vjeç.
E majta është veçanërisht e ashpër kundër reformës së pensioneve, ndërkohë që ekzekutivi tani po kërkon mbështetjen e së djathtës, duke theksuar se çështja ishte në qendër të fushatës elektorale të Emmanuel Macron, i cili ishte zotuar ta niste sa më shpejt të ishte e mundur në rast ri- zgjedhjeje.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.