“Frenon” kriza bankare në Zvicër – Banka qendrore rriti normat e interesit
Kriza bankare në Zvicër ka ndaluar, sipas deklaratës së bankës qendrore të vendit e cila rriti normat e interesit për herë të katërt, në përpjekje për të frenuar inflacionin.
Së bashku me qeverinë zvicerane dhe rregullatorin e tregut financiar FINMA, Banka Kombëtare e Zvicrës ndihmoi në menaxhimin e marrjes urgjente nën kontroll të Credit Suisse nga UBS, për të parandaluar kolapsin e bankës së dytë më të madhe të vendit.
Sipas një deklarate për media të bankës qendrore europiane masat e shpallura në fundjavë e kanë ndaluar krizën. Banka Kombëtare e Zvicrës po ofron asistencë për likuiditet në franga dhe valuta të huaja. Këto kredi janë të mbështetura me kolateral dhe i nënshtrohen interesit.
Rritja me gjysmë pikë përqindje çon normat e interesit në 1.5%. Inflacioni qëndron në 3.4%, shumë më lart se objektivi i Bankës Kombëtare të Zvicrës prej 0-2%.
Rritja e fundit e inflacionit është kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të energjisë elektrike, shërbimeve turistike dhe ushqimit. Megjithatë, rritja e çmimeve tani ka një bazë të gjerë, sipas Bankës Kombëtare të Zvicrës.
Sidoqoftë, perspektiva për ekonominë zvicerane ishte shumë e pasigurt, duke pasur parasysh rrezikun e një rënieje globale dhe efektet negative të trazirave në sektorin financiar global.
Credit Suisse ishte në prag të kolapsit javën e kaluar përpara se autoritetet zvicerane të ndërhynin, së pari me një hua urgjente të parave të bankës qendrore, e ndjekur nga fillimi i negociatave për të siguruar një marrëveshje që banka të blihej nga rivali i saj më i madh.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.