Fshehën pagat, bizneset do të paguajnë mijëra euro – 2023-shi, tatimet nisin kontrollet tek subjektet deri në 5 punonjës!
Bizneset që janë konstatuar me nëndeklarim pagash apo mosdeklarim punonjësish, do duhet që t’i kthejnë administratës tatimore pagesat e munguara. Referuar planit të ndjekur nga njësia kundër informalitetit e cila u ngrit më 5 janar 2022, u konkludua se nga 19 subjekte në fushën e arsimit, tregtisë, ndërtimit, sigurimeve, mediave të planifikuara për të verifikuar gjendjen e deklarimit të pagave për punonjësit e tyre, rezulton të gjithë këta tatimpagues i detyrohen buxhetit të shtetit një shumë prej 49. 7 milionë lekësh apo 426 mijë eurosh për të gjitha llojet e taksave.
Ndërkohë, në dokumentin e reforma ekonomike 2023-2025, ku pasqyrohen këto të dhëna, thuhet se nga informacionet e marra për 41 individë që janë audituar ose janë në proces auditimi nga Drejtoria e Kontrollit të Specializuar, detyrimet e tyre rezultojnë në 1.5 milionë lekë apo 13 mijë euro.
Krahas grupit të tatimpaguesve që po trajtohen nga Njësia e Informalitetit, Administrata Tatimore ka miratuar Planin Sektorial –“Miratimi i masave në lidhje me informalitetin në tregun e punës”, ku janë përcaktuar listat e tatimpaguesve me vetëm 1 punonjës të deklaruar, që rezultojnë në 37.643 tatimpagues ose 57% e totalit të tyre dhe lista e tatimpaguesve me 2-5 punonjës të deklaruar dhe 100% e tyre me pagë minimale që rezulton me 24. 977 tatimpagues me 63.299 punonjës.
Objektivi është pas kontrolleve të arrihet një rezultat me një përmirësim 5-10% të numrit të punonjësve të deklaruar për tatimpaguesit me 1 punonjës dhe një ulje 10-20% të punonjësve me pagë minimale.
Në dokument thuhet se fokusi do të jetë rritja e deklarimit të pagave në tregun e punës dhe vijimi i kontrolleve në subjekte të fushës së sigurimeve, medias dhe arsimit, të cilët kanë rezultuar me parregullsi gjatë auditimeve të para të kryera nga Njësia AntiInformalitet.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.