G7, çmim tavan për naftën ruse – Rritja e çmimit ka sjellë 700 milionë dollarë më shumë fitime për Rusinë vetëm në qershor
Ministrat e Financave nga grupi i shtatë i vendeve më të industrializuara të botës do të diskutojnë të premten vendosjen e një çmimi tavan të propozuar nga administrata Biden për naftën ruse, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Udhëheqësit e G7 po diskutojnë se si të krijojnë një kufizim çmimi dhe kanë konsideruar alternativa të tjera, duke përfshirë bllokimin e transportit të naftës ruse. G7 përbëhet nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.
Shumë vende kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, por konsumatorët kryesorë të naftës Kina dhe India kanë rritur importet e naftës ruse, duke përfituar nga ulja preferenciale e çmimit.
Pavarësisht se eksportet e naftës ruse arritën nivelet e tyre më të ulëta që nga gushti i kaluar, të ardhurat e saj nga eksporti në qershor u rritën me 700 milionë dollarë krahasuar me majin për shkak të çmimeve më të larta, 40% mbi mesataren e vitit të kaluar, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Udhëheqësit perëndimorë kanë propozuar adresimin e këtij problemi nëpërmjet një kufiri të çmimit të naftës, për të kufizuar prodhuesit dhe tregtarët që të paguajnë për naftën bruto ruse, një lëvizje që Moska thotë se nuk do t’i përmbahet dhe mund ta pengojë duke dërguar naftë në shtetet që nuk i binden çmimit tavan.
Disa tregtarë dhe analistë të tregut kanë shprehur dyshime se një kufi i çmimit do të funksiononte pasi Rusia ka gjetur mënyra për të dërguar naftën e saj në Azi pa përdorur anijet perëndimore. Moska gjithashtu mund të ndalojë plotësisht eksportet e një pjese të naftës, duke çuar në një rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.