Gazi amerikan “ngroh” Britaninë – Dy vendet nisin Partneritetin e Energjisë për të rritur furnizimet
Shtetet e Bashkuara dhe Britania njoftuan të mërkurën një partneritet energjetik që synon ruajtjen e një niveli më të lartë të eksporteve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Britani dhe bashkëpunimin për të rritur efikasitetin e energjisë.
Britania dhe vende të tjera europiane u janë drejtuar Shteteve të Bashkuara, ndërsa përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre nga furnizimet ruse të energjisë.
Sipas kryeministri, Rishi Sunak, ky partneritet do të ulë çmimet për konsumatorët britanikë dhe do të ndihmojë në përfundimin e varësisë së Europës nga energjia ruse.
Faturat e energjisë për konsumatorët kanë arritur nivele rekord këtë vit, duke detyruar qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar të mbulojë kostot dhe të subvencionojë diferencën, një masë që analistët parashikojnë se mund të kushtojë deri në 51 miliardë dollarë gjatë 18 muajve që është vendosur kufiri.
Shtetet e Bashkuara u bënë eksportuesi më i madh në botë i gazit të lëngshëm në gjysmën e parë të vitit 2022, treguan të dhënat e Administratës së Informacionit të Energjisë, pasi vendi rriti me shpejtësi kapacitetin e eksportit.
Britania tha se sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të synojnë të eksportojnë 9-10 miliardë metra kub gaz të lëngshëm gjatë vitit të ardhshëm, duke ruajtur rritjen e eksporteve të këtij viti.
Britania ka importuar rreth 11 miliardë metra kub gaz nga Shtetet e Bashkuara në 11 muajt e vitit 2022, krahasuar me 4 miliardë metra kub në 2021.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.