Gazi metan regjistron rritje “rekord” – Aktivitetet njerëzore përgjegjëse për 2/3 e emetimeve globale
Kristi Ceta/SCAN
Emetimet globale të metanit po rriten në nivele rekord, të nxitura kryesisht nga aktiviteti njerëzor. Buxheti Global i Metanit 2024, i botuar në revistën Earth System Science Data, është një analizë gjithëpërfshirëse e tendencave të metanit dhe implikimeve të tyre për ndryshimet klimatike.
Raporti zbulon se aktivitetet njerëzore tani janë përgjegjëse për të paktën dy të tretat e emetimeve globale të metanit. Pavarësisht përpjekjeve globale për të frenuar emetimet, ka pasur një rritje prej 20 për qind të burimeve të metanit të prodhuara nga njeriu gjatë dy dekadave të fundit.
Përqendrimet atmosferike të gazit arritën në 1,923 pjesë për miliard në vitin 2023. Ky është një nivel 2,6 herë më i lartë se në kohët para-industriale dhe përqendrimi më i lartë në të paktën 800,000 vjet.
Ky trend “nuk mund të vazhdojë nëse duam të ruajmë një klimë të banueshme”, shkruajnë studiuesit në një artikull të veçantë të botuar krahas raportit. Trajektorja aktuale, zbuluan ata, do të vinte në rrezik kufirin e ngrohjes globale prej 1,5 gradë celcius të Marrëveshjes së Parisit.
Metani është një gaz i fuqishëm serrë që është jetëshkurtër në atmosferë. Ai vjen nga burime natyrore si ligatinat ose burime të shkaktuara nga njeriu, si bujqësia dhe industria e karburanteve fosile. Në 20 vitet e para pas lëshimit të tij, ky gaz ngroh atmosferën gati 90 herë më shpejt se dioksidi i karbonit.
Adresimi i emetimeve të metanit është thelbësor për arritjen e qëllimeve klimatike pasi aktualisht nuk ka teknologji të afta për të hequr drejtpërdrejt këtë gaz nga atmosfera.
Pesë emetuesit më të mëdhenj të metanit në botë janë Kina (16 për qind), India (9 për qind), SHBA (7 për qind), Brazili (6 për qind) dhe Rusia (5 për qind). Raporti zbulon se bujqësia është ende burimi më i madh që përbën 40 për qind të emetimeve globale antropogjene të metanit. Aktiviteti i karburanteve fosile kontribuon me 34 për qind, trajtimi i mbetjeve 19 për qind dhe djegia e biomasës 7 për qind. Shkencëtarët vlerësojnë se afërsisht një e treta e emetimeve të metanit në ligatinat dhe ujërat e ëmbla në vitet e fundit janë ndikuar nga faktorë të shkaktuar nga njeriu.
Midis 2020 dhe 2023, të dhënat satelitore tregojnë se emetimet e metanit u rritën me 5 për qind shtesë. Rritjet më të mëdha u panë në Kinë, Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme. “Vetëm Bashkimi Evropian dhe ndoshta Australia duket se kanë ulur emetimet e metanit nga aktivitetet njerëzore gjatë dy dekadave të fundit,” thonë autorët e studimit.
Rritja e emetimeve mund të nënkuptojë një rritje të temperaturës globale prej më shumë se 3 gradë Celsius deri në fund të shekullit, krahasuar me periudhën para-industriale.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.