Gazifikimi i vendit, ende në letër – Balluku: Procesi nis nga Korça. Masterplani i jep përparësi Fierit
Teksa kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja, Belinda Balluku bënë me dije se para 2 ditësh u hodhën hapa konkretë në drejtim të gazifikimit të vendit, procesi duket ende larg, duke qenë se Masterplani i miratuar në nëntor të vitit 2016 është ende në letër.
Sipas dokumentit, mesi i vitit 2018 duket të shënonte nisjen e ndërtimit të seksionit të parë të tubacionit Fier – Vlorë, ndërkohë që në fund të vitit 2019 parashikohej dorëzimi i veprës.
I njëjti dokument liston ecurinë e ndërtimit të tubacioneve të tjerë të domosdoshëm për gazifikimin e vendit, duke i dhënë përparësi rrjetit Fier – Ballsh, që duhet të ishte përfunduar në fund të vitit 2020, Lushnje – Dumre – Elbasan që duhet të kishte nisur punimet në vitin 2021 e tashmë të ishte drejt përfundimit, ndërkohë që edhe për seksionin Lushnje – Pezë – Durrës duhet të ishte hartuar projekti dhe të kishin përfunduar proceduart e përzgjedhjes së kompanisë që do të kryente punimet.
Sipas Masterplanit, që është dokumenti më i rëndësishëm që orienton zhvillimin e sketorit të gazit në vend, projektet e mësipërm konsiderohen si prioritare në terma afatshkurtër dhe afatmesëm. Ndërkohë që, në terma afatgjatë rekomandohet zhvillimi i sistemit të transmetimit të gazit afër Korçës, për të furnizuar TEC-in e planifikuar të Korçës, dhe më tej në Pogradec.
Gjithsesi, ndryshe nga ky parashikimin, Balluku bëri me dije se gazifikimi i vendit do të nisë nga qytetit i Korçës. Njoftimi u bë përmes një postimi të saj në rrjetet sociale pas takimit të zhvilluar me Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në Tiranë.
Megjithatë, një ditë më pas kryeministri, Edi Rama sërish përmes një postimi në rrejtet sociale, njoftoi se programi i gazifikimit me investim të Azerbaixhanit, do të nisë me një bashki që do të përcaktohet në një nga pikëkontaktet me TAP-in, duke lënë të kuptohet se qyteti nuk është vendosur ende.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.