Gjenden për herë të parë prova të dioksidit të karbonit në një ekzoplanet të largët!
Teleskopi i ri hapësinor i NASA-s ka ofruar imazhe mahnitëse të kozmosit që kur hyri në veprim këtë verë.
Teleskopi Hapësinor James Webb ka zbuluar tashmë pjesë të universit që nuk ishin vëzhguar më parë, si dhe ka shfaqur imazhe mahnitëse të planetit më të madh në sistemin tonë diellor, Jupiterit. Por aftësitë e teleskopit nuk mbarojnë këtu.
Shkencëtarët kanë gjetur provat e para të qarta të dioksidit të karbonit në atmosferën e një ekzoplaneti, një zbulim i madh që mund të hapë derën për vëzhgime të ngjashme në planetë më mikpritës për jetën.
Ky është një planet që është jashtë sistemit tonë diellor – në këtë rast, një gjigant gazi që rrotullohet rreth një ylli të ngjashëm me Diellin tonë, rreth 700 vite dritë larg.
Gjetjet, të pranuara për botim në revistën Nature, tregojnë se teleskopi mund të jetë në gjendje të zbulojë dhe masë CO2 në atmosferat e planetëve më të vegjël shkëmborë.
Planeti, WASP-39 b, është një gjigant gazi pak më i madh se Jupiteri. Ai u zbulua për herë të parë në vitin 2011, nga vëzhgimet e bazuara në tokë të zbehjes së dritës nga ylli i tij pritës ndërsa planeti kalonte para tij.
Studimet e mëparshme kanë zbuluar praninë e avullit të ujit, natriumit dhe kaliumit në atmosferën e planetit, por vetëm ndjeshmëria e lartë infra të kuqe e James Webb ishte në gjendje të konfirmonte pa dyshim praninë e dioksidit të karbonit.
NASA thotë se rezultatet tregojnë aftësinë e teleskopit për të mbledhur njohuri mbi përbërjen, formimin dhe evolucionin e planetëve në të gjithë galaktikën.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.