Gjermania dhe Norvegjia do të ndërtojnë një tubacion të madh hidrogjeni!
Gjermania sapo bëri një hap më afër gjetjes së një zëvendësimi afatgjatë dhe më të gjelbër për gazin natyror dhe qymyrin rus. Prodhuesi gjerman i energjisë RWE (RWEOY) dhe firma energjetike shtetërore norvegjeze Equinor njoftuan të enjten planet për të ndërtuar termocentrale me karburant hidrogjeni në Gjermani gjatë viteve të ardhshme, si dhe një tubacion të madh midis dy vendeve për t’i ushqyer ato.
Marrëveshja e cila nuk është ende ligjërisht e detyrueshme është pjesë e përpjekjeve të Gjermanisë për të hequr gradualisht të gjitha termocentralet me qymyr deri në vitin 2030 dhe për të dekarbonizuar sektorin e saj të energjisë. Berlini është larguar në mënyrë dramatike nga Rusia si një burim energjie që nga pushtimi i Ukrainës dhe duhet të gjejë furnizues alternativë të sigurt.
Termocentralet, në pronësi të përbashkët të RWE dhe Equinor, fillimisht do të funksionojnë me gaz natyror të prodhuar në Norvegji përpara se të kalojnë në hidrogjenin “blu”, i prodhuar gjithashtu në Norvegji duke përdorur gaz natyror dhe i pompuar përmes tubacionit nënujor, thanë kompanitë.
Më shumë se 95% e dioksidit të karbonit të emetuar gjatë prodhimit të hidrogjenit do të kapet dhe ruhet nën shtratin e detit, shtuan ata. Equinor planifikon të zhvillojë një kapacitet prodhimi prej 2 gigavat për hidrogjenin “blu” deri në vitin 2030.
Qëllimi përfundimtar është gjenerimi i të ashtuquajturit hidrogjen “të gjelbër” duke përdorur energjinë e rinovueshme të prodhuar nga fermat e erës në det të hapur, thanë ata, pa dhënë datat e synuara. Bashkimi Europian ka një objektiv të ndërtojë një kapacitet prodhimi të hidrogjenit të rinovueshëm 40 gigavat deri në vitin 2030.
Kompanitë nuk kanë deklaruar se sa termocentrale synojnë të ndërtojnë, apo vlerën e investimeve të tyre të përbashkëta. Norvegjia tani është furnizuesi më i madh i gazit natyror në Europë, sipas statistikave zyrtare të BE-së. Që kur Rusia filloi të shkurtojë eksportet e saj në bllok si hakmarrje për sanksionet europiane për luftën në Ukrainë, vendi nordik ka rritur eksportet e veta për të ndihmuar në plotësimin e boshllëkut.
Pak përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në fund të shkurtit, Gjermania hoqi dorë nga planet për të përdorur tubacionin Nord Stream 2, i cili u ndërtua nga Gazprom për të ofruar deri në 55 miliardë metra kub gaz natyror në vit ose më shumë se gjysmën e konsumit vjetor të Gjermanisë.
Në muajt që pasuan, Rusia shkurtoi në mënyrë dramatike flukset e gazit natyror përmes gazsjellësit Nord Stream 1. Rrjedhat në atë tubacion u ndalën fare në gusht kur u mbyll për riparime dhe nuk u rihapën. Të dy tubacionet u goditën një muaj më vonë nga një seri shpërthimesh. Danimarka dhe Suedia kanë thënë se infrastruktura ishte shënjasestruar qëllimisht dhe shërbimi i sigurisë suedeze ka thënë se nuk mund të përjashtohet “që një fuqi e huaj qëndron pas saj”.
Dyshimi ka rënë mbi Rusinë si i vetmi aktor në rajon që besohet se ka aftësinë dhe motivimin për të dëmtuar qëllimisht tubacionet. Kremlini ka mohuar se ka goditur tubacionet. Pas shpërthimeve, NATO u zotua të ndërmerrte një “përgjigje të bashkuar dhe të vendosur” nëse dëmi do të rezultonte të ishte i qëllimshëm.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.