Gjermania drejt legalizimit të kanabisit – Do të lejohet posedimi deri në 30 gram dhe shitja për qëllime rekreative
Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë zbuloi planet për të dekriminalizuar posedimin e deri në 30 g kanabis dhe lejimin e shitjes së substancës tek të rriturit për qëllime rekreative.
Një pikëpyetje mbetet nëse plani i miratuar nga Kabineti do të shkojë përpara, sepse qeveria fillimisht dëshiron të jetë e sigurt se është në përputhje me ligjin e Bashkimit Evropian.
Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach tha se do të vazhdojë me legjislacionin vetëm nëse është kështu.
Plani kërkon shitjen e kanabisit tek të rriturit në pikat e licencuara dhe qëllimi është të luftohet tregu i zi, tha Lauterbach. Ai shtoi se qeveria synon të rregullojë fort tregun.
Legalizimi i shitjeve të kontrolluara të kanabisit është një nga një seri reformash të përshkruara në marrëveshjen e koalicionit të vitit të kaluar midis tre partive social liberale që përbëjnë qeverinë e kancelarit Olaf Scholz.
Ata thanë se plani do të siguronte kontrollin e cilësisë duke mbrojtur gjithashtu të rinjtë dhe ranë dakord që “efektet sociale” të legjislacionit të ri do të shqyrtoheshin pas katër vjetësh.
Ndër plane të tjera liberalizuese, qeveria ka hequr nga kodi penal i Gjermanisë një ndalim për mjekët që “reklamojnë” shërbimet e abortit.
Qeveria gjithashtu dëshiron të heqë legjislacionin 40-vjeçar që kërkon që personat transeksualë të marrin një vlerësim psikologjik dhe një vendim gjykate përpara se të ndryshojnë zyrtarisht gjininë, një proces që shpesh përfshin pyetje intime. Ai do të zëvendësohet me një “ligj të ri të vetëvendosjes”.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.